Kosova dhe Banka Botërore nënshkruajnë marrëveshjen prej 47 milionë euro për reformimin e ndihmave sociale

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë, Massimiliano Paolucci, kanë nënshkruar marrëveshjen e financimit për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”, në vlerë të 47 milionë eurove.

Kjo marrëveshje synim ka investimin në përforcimin e sistemeve të ofrimit të mbrojtjes sociale dhe përmirësimin e përformancës së skemës së ndihmës sociale.

“Nënshkrimi i kësaj marrëveshje shënon edhe zbatimin e masës 3.3 – Reformimi i Skemës së Asistencës Sociale, në kuadër të Pakos së Ringjalljes Ekonomike”, thuhet në komunikatën e lëshuar për media.

Reklama e sponzorizuar

Marrëveshja në fjalë arrin vlerën deri në 47 milionë euro, ku investimet për përforcimin e sistemeve të ofrimit të mbrojtjes sociale pritet të jenë rreth 5 milionë euro, ndërsa shuma prej më se 40 milionë do të orientohet drejt përmirësimit të performancës së Skemës së Ndihmës Sociale.

“Ministri Murati vlerësoi lartë mbështetjen e Bankës Botërore në procesin e reformës sociale në Kosovë dhe theksoi se kjo marrëveshje ka një vlerë të lartë për Republikën e Kosovës duke marrë parasysh nevojën e përmirësimit të targetimit të politikave sociale drejt familjeve më në nevojë. Plani i Qeverisë së Kosovës i jep rëndësi të madhe programeve sociale të cilat sigurojnë që të minimizohet varfëria dhe të zvogëlohet pabarazia ekonomike në vend. Andaj, marrëveshja e nënshkruar sot siguron që targetimi i këtyre politikave të bëhet në mënyrën më të mirë të mundshme dhe angazhimi i Bankës Botërore drejt këtij qëllimi është tejet i mirëseardhur.”