“Do të jetë e lehtë të kalojmë tek energjia e gjelbër“, tha Boris Johnson javën e kaluar në fjalimin e tij përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ai dhe udhëheqësit e tjerë evropianë janë po aq të përkushtuar për të arritur tek objektivi për reduktimin e plotë të emetimit të gazit karbonik në atmosferë. Megjithatë thonë analistët, ata mund të zbulojnë se kalimi tek energjia e gjelbër, mund të jetë mos jetë aq i thjeshtë dhe mund të ketë një çmim të lartë elektoral për të paguar.
Çmimet e energjisë kanë arritur nivelin më të lartë në shtatë vite dhe rezervat e gazit dhe qymyrit po pakësohen. Rusia nuk e ka rritur eksportin e gazit natyror. Kërcimet e çmimit të gazit natyror kanë ardhur kryesisht për shkak të rritjes së kërkesës nga vendet aziatike dhe furnizimeve të ulëta në Evropë, e cila ka parë një rritje prej 250% në 280% të çmimeve të gazit me shumicë këtë vit. Çmimet e energjisë elektrike po rriten gjithashtu sepse gazi natyror përdoret në të gjithë kontinentin për të prodhuar një përqindje të madhe të energjisë elektrike.
Rritja e çmimeve vjen në një periudhë delikate për qeveritë pasi ato planifikojnë të përshpejtojnë një tranzicion drejt reduktimit në zero të gazit karbonik në atmosferë, heqjen nga përdorimi të kaburanteve fosile që përdoren për energji, gjë e cila siç thonë ata do të çojë në çmime më të lira të energjisë. Megjithatë për ca kohë konsumatorët nuk pritet të shohin çmime më të ulta të energjisë. Aktualisht ata po përballen me kosto më të larta të shkaktuara nga mungesat në furnizim me energjisë.
Disa ekspertë druhen se kriza e çmimit të energjisë mund të nxisë reagim publik ndaj politikave për reduktimin e gazit karbonik në atmosferë.
Shumë qeveri evropiane kanë shpallur objektiva ambiciozë të reduktimit të gazit karbonit për të arritur tek reduktimit në zero deri në vitin 2050.
Në qershor 2019, Britania, vend ky ku më vonë gjatë këtij viti do të mbahet Konferenca e Kombeve të Bashkuara e vitit 2021 mbi Ndryshimet Klimatike, (COP26), u bë vendi i parë i G7-s që miratoi në ligj angazhimin për të reduktuar në zero emetimin e gazit karbonik që shkakton efektin serë deri në vitin 2050.
Por megjithatë përmbushja e këtyre veprimeve radikale ndaj klimës do të jetë i ndërlikuar dhe më i vështirë se sa parashikojnë qeveritë, thonë disa analistë dhe politikanë, të cilët mbështesin veprimet radikale lidhur me klimën. Kriza e çmimit të energjisë do të diskutohet nga udhëheqësit e BE-së gjatë një takimi të nivelit të lartë në Bruksel që mbahet më vonë këtë muaj. Muajin e kaluar, Spanja paralajmëroi Komisionin Evropian se masat për reduktimin e emetimit të gazit karbonik “mund të mos përballojnë dot një periudhë të vazhdueshme çmimesh abuzive të energjisë elektrike”.
Edhe para problemeve me energjinë, disa ministra dhe institute politikash kishin paralajmëruar se nuk ishte e qartë nëse evropianët janë gati të bëjnë sakrificat e nevojshme për një të ardhme pa dioksid karboni dhe mund të bëhen më ngurrues, pasi heqja dorë nga lëndët djegëse fosile do të thotë rrënim i standardeve dhe stilit të jetesës.
Në fillim të këtij viti Instituti Britanik për Ndryshimet Globale i ish-kryeministrit britanik Tony Blair paralajmëroi se “Përmbushja e objektivave tanë të ardhshëm do të ketë ndikime të drejtpërdrejta në jetën e njerëzve në të gjithë vendin”
Në një studim të këtij insituti thuhej se “politikanët duhet ta dinë se ekziston një dëshirë e fortë dhe e qëndrueshme për veprime kundër ndryshimeve klimatike”, por paralajmëroi se “krijimi i një koalicioni politik afatgjatë për të mbështetur veprimin e nevojshme për të shkuar drejt reduktimit të plotë të gazit karbonik, është nën kërcënim”.
Përfundime të ngjashme janë arritur edhe nga të tjera institute studimore që flasin për probleme të mundshme politike në të ardhmen, për zbatimin e planeve të Komisionit Evropian për të ulur nivelin e ndotjes deri në vitin 2030, me të paktën 55% nga nivelet që ishte në vitin 1990.
Në një studim për Shkollën Ekonomike në Londër, Patrick Bayer, pedagog në Universitetin Strathclyde të Skocisë dhe Federica Genovese, eksperte e politikave mjedisore në Universitetin e Essex-it në Britani, ngrinin pikëpyetje nëse planet e propozuara të kompensimit nga ana e BE-së për më të varfërit, “ishin të mjaftueshme për të shuar pakënaqësinë ekonomike dhe ankthin social që kanë tendencë të ndezin trazira në të gjithë kontinentin”.
Dokumenti u shkrua para se të niste kriza e çmimeve të energjisë në të gjithë Evropën muajin e kaluar. Disa kundërshtarë të planeve radikale të veprimit ndaj klimës kanë shfrytëzuar këtë moment. “Nëse konsumatorët besojnë se reduktimi i dioksidit të karbonit i ekspozon ata ndaj kostove ndëshkuese ose pasigurisë në furnizim, ata me të drejtë do ta refuzojnë atë”, paralajmëroi muajin e kaluar Charles Moore, ish-redaktor i gazetës “The Daily Telegraph”.
Craig Mackinlay, një ligjvënës konservator britanik dhe kritik i planeve për reduktimin e dioksidit të karbonit, sfidoi zotin Johnson në Parlament muajin e kaluar në lidhje me kostot e zbatimit të objektivave të qeverisë mbi këtë çështje dhe tha se “planet ekstravagante për një mjedis më të gjelbër” sipas tij, do t’u ofronin pak mundësi për t’u ngrohur njerëzve të zakonshëm.
Zoti Mackinlay ka paralajmëruar se parashikimet e qeverisë britanike se sa do të kushtojë për ta bërë Britaninë të gjelbër janë me të meta serioze dhe nënvlerësojnë kostot e vërteta.
Qeveria britanike vlerëson se vendi do të duhet të shpenzojë mbi 67 miliardë dollarë në vit deri në vitin 2050, që Britania të heqë nga përdorimi karburantet fosile. Kjo është rreth 1% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Por kohët e fundit dokumente të brendshme të qeverisë kanë treguar se Departamenti i Britanisë për Biznes, Energji dhe Strategji Industriale dyshon se parashikimi është i gabuar dhe vlerëson se kostot do të jenë 40% më të larta.
Disa ekspertë të pavarur kanë vënë në dukje se qeveria e Zelandës së Re, e cila po mendon gjithashtu të shkojë drejt reduktimit të plotë të dioksidit të karbonit deri në vitin 2050, beson se kjo mund t’i kushtojë ekonomive të përparuara deri në 16% të PBB-së së tyre.
Elektorati duket se është tashmë në mëdyshje për të përqafuar veprimet lidhur me klimën ose të paktën i shqetësuar për kostot e energjisë. Partia e Gjelbër e Gjermanisë, më e forta në Evropë, pa një rritje të mbështetjes me vota në zgjedhjet federale të muajit të kaluar, por u zhgënjye që nuk arriti një rritje shumë më të madhe.
“Rezultati i zgjedhjeve e bën të qartë një gjë”, tha të hënën Volker Wissing, sekretar i përgjithshëm i Partisë Demokratët e Lirë për transmetuesin televiziv ARD. “Njerëzit nuk duan mbrojtje të klimës në kurriz të mirëqënies dhe njerëzit gjithashtu nuk duan mirëqënie në kurriz të natyrës e mjedisit. Kjo është arsyeja pse ne duhet t’i bashkojmë këto gjëra dhe të gjejmë një zgjidhje që mund të bashkërendojë çështjet e mbrojtjes se mjedisit dhe mirëqënies”./VOA/