Kroacia do të nisë avio-linjën drejt Prishtinës: Tre herë në javë

Zagreb, tetor – Në Zagreb po zhvillohen bisedimet për nisjen e rregullt të linjës ajrore Zagreb-Prishtinë, e cila parashihet të funksionojë tre herë në javë.

Këtë nismë e ka përkrahur ministri Oleg Butkoviq, ndërsa kryeministri Andrej Plenkoviq e ka vlerësuar si një hap shumë të rëndësishëm “ i cili do të ndikonte pozitivisht në turizëm dhe në ekonomi”.

Siç shkruan e përditshmja zagrebase ‘Jutarnji list’, mbledhja e parë në këtë temë është mbajtur dje me ministrin Butkoviq.

Reklama e sponzorizuar

Ministri, ka transmetuar gazeta, ka shprehur interesim dhe gatishmëri për përkrahje të fuqishme të këtij projekti dhe njëkohësisht ka biseduar me drejtorin e Aeroportit Ndërkombëtar të Zagrebit, i cili gjithashtu “ka shprehur përkrahjen maksimale”.

Për të gjitha çështjet rreth kësaj nisme ka qenë i informuar edhe kryeministri kroat Andrej Plenkoviq, i cili linjën potenciale ndërmjet Prishtinës dhe Zagrebit e ka vlerësuar si “ një hap shumë të rëndësishëm dhe si urë ndërlidhëse ndërmjet dy shteteve , që do të ndikojë pozitivisht në turizëm dhe në ekonomi”.

Plani inicues parasheh nisjen e linjës ajrore në relacionin Zagreb-Prishtinë tre herë në javë, me aeroplanët të tipit A319, të cilët firma private kroate i ka angazhuar para pak muajsh. /Përktheu: Buletini Ekonomik/