Kurti për sulmin në Trepçë: S’ka individ e as grup më të fuqishëm se shteti, do t’i investojmë 70 milionë euro

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ia ka ofruar mbështjetjen e Qeverisë ushtruesit të detyrës së kryeshefit të ndërmarrjes “Trepça”, Enis Abdurrahmani, pasi i njejti pësoi sulm në vendin e punës gjë që të dyshuar janë punëtorë të kësaj ndërmarrjeje.

Mënjeherë pas vizitës në “Trepçë”, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ata kanë premtuar investime milionëshe në këtë ndërmarrje publike.

Reklama e sponzorizuar

Kurti gjithashtu ka thënë se në bazë të informatave që ka, në Trepçë ka pasur prodhim të madh me nxjerrje të 20 mijë ton të xeheve.

“Është lajm i mirë për Trepçën që çmimet e metaleve janë ngritur. Plumbit e zinkut të larta si rrallëherë. Mbi 3500 dollarë për ton zinku dhe 2500 dollarë për ton plumbi. Jemi të lumtur që kur ishim në qeverisje pranverën e kaluar e kemi dëshmuar edhe te udhëheqja edhe te punëtorët se jemi të interesuar për Trepçën. E kemi bërë konkretisht e materialisht. I patëm ndarë mbi 7 milionë euro për Trepçën. Në dy vitet në vijim do t’i ndajmë 70 milionë euro për investime në Trepçë për vitet 2022-2023. Projekti për Fondin Sovran e ka vendosur në qendër të zhvillimit të ardhshëm ekonomik Trepçën”, ka thënë Kurti.

Ai gjithashtu shtoi se është marrë me incidentin e fundit në Trepçë ku kryeshefit i ndërmarrjes është sulmuar në vendin e tij të punës dhe që sipas tij të dyshuar për rastin janë punonjës të kësaj ndërmarrjeje.

“U njoftova hollësisht mbi gjendjen dhe zhvillimet e fundit në Trepçë. Na vjen keq se çfarë ka ndodhur. Sulm i organizuar i dhunshëm mbi udhëheqjen. E dënojmë ashpër këtë sulm të tillë që është i drejtuar kundër Trepçës dhe s’është në të mirë të Kosovës. Zotohem si kryeministër se s’do të ketë as individë e as grup më të fuqishëm se shteti. Ata që synojnë të jenë më të fuqishëm, bien ndesh me ligjin dhe kushtetutshmërinë. Jemi qeverisje e mirë, andaj ushtruesi i detyrës së kryeshefit është Enis Abdurrahmani dhe e ka mbështetjen time të plotë bashkë me Bahriun që është kryesues i Bordit këtu. Këshilli grevist ka bërë kërkesë që ata që e kanë pësuar dhunën e atij grupi prej dhjetëra njerëzve që s’dihet krejt kush janë, që këta që i kanë paraqitur deklaratat në polici të tërheqin ato. S’u ka mjaftuar që e kanë sulmuar, por kërkojnë që tash këta të tërheqin deklaratën që e kanë pësuar dhunën. Kjo është e pashembullt dhe s’do të ndodhë. Edhe bordi aktual edhe ushtruesi i detyrës së kryeshefit e kanë mbështetjen e plotë tonën. Edhe punëtorët e kanë mbështetjen e plotë, por ne i ftojmë të mos bien pre e një këshilli grevist që kërkon që të tërhiqen deklaratat në Polici”, tha ndër të tjera Kurti.

Sipas Kurtit Qeveria është e fokusuar në zhvillimin e Trepçës, dhe që synojnë në shtimin e punëtorëve si dhe freskimin e tyre, duke u nisur nga fakti se mosha e minatorëve konsiderohet e shtyrë./Buletini Ekonomik/