Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas ngritjes së çmimit të shumë artikujve e produkteve nëpër marketet kosovare. Ai tha se shkalla e inflacionit në Kosovë, që sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës është 4.9%, është në linjë me ngritjen globale të çmimeve për disa produkte.
Sipas tij, edhe Kosova, sikurse e gjithë bota, i është ekspozuar një inflacioni që kryesisht vjen si rezultat i katër faktorëve: shkëputjes së zinxhirit të furnizimeve për shkak të pandemisë, rikthimit të konsumit global më shpejt sesa që mund të përshtatej prodhimi, i cili gjatë pandemisë ishte stopuar, rritja në nivel global e çmimit të energjisë dhe spekulantët e ndryshëm që bëhen profiterë të krizave.
Megjithatë, ai gjithashtu reagoi edhe pas lajmeve të ditëve të fundit ku çmimet e ngritura të produkteve i adresoheshin Qeverisë, duke thënë se kjo fushatë veq po ua shtron terrenin manipuluesve për të ngritur çmimet ndonëse mund të mos ketë ngritje të kostos, dhe vetëm tenton të nxisë panik te qytetarët.
Kurti theksoi se paniku dhe pritjet se do të ketë rritje çmimesh, mund të ndikojnë në blerje të shtyera nga frika, gjë që pastaj rezulton në mungesë të produkteve në rafte, e rrjedhimisht edhe në ngritje të mëtutjeshme të çmimeve.
“Një gjë të tillë kishin tentuar ta bëjnë edhe në fillim të pandemisë COVID-19 vitin e kaluar, me çmimin e miellit. Atëherë ne kishim bërë thirrje për qetësi, dhe kishim garantuar se askush nuk do të mbetej pta bukë. Ashtu edhe doli. Mirëpo, shumë qytetarë kishin përfunduar me sasi mielli nëpër shtëpitë e tyre, të blerë me çmim dy e trefish nga frika e mungesës së miellit dhe rritjes së çmimit. Fituesit e vetëm atëherë dolën të ishin tregtarët”, shkroi Kurti në një postim në facebook.
Kurti me këtë reagim, duke kërkuar qetësi dhe durim nga qytetarët, ka paralajmëruar edhe një pako masash ditëve në vijim, të cilat thotë se do t’ju vijnë në ndihmë qytetarëve.
“Kurse ata që po fajësojnë Qeverinë tani, kurrë nuk e kanë pasur brengë çmimin e bukës, e as hallet e qytetarëve. Përndryshe do të kishin reaguar me kohë kur zaptohej toka bujqësore. Për 10 vite, më se gjysmë miliardë euro të taksave i kanë shpenzuar për bujqësi, e produktiviteti bujqësor ka pësuar rënie, sepse subvencionet nuk u shkonin bujqve por xhepave të miqve të tyre. Janë po të njëjtit që nuk thanë asnjë fjalë kur fabrika e vajit në Ferizaj ishte shitur për skrap. E tani ankohen për çmimin e vajit të importuar!Janë po të njëjtit që vitin e kaluar, në emër të rimëkëmbjes ekonomike kishin shpërblyer supermarketet e mëdha me qindra mijëra euro, përkundër faktit që ishin po ato biznese që kishin fitime rekord në kohë pandemie”, ka shkruar tutje Kurti. /Buletini Ekonomik/