Kuvendi voton rialokimin e 2.3 milionë eurove nga Marrëveshja financiare IPA 2017

Sot me 86 vota pro, deputetët e Kuvendit kanë miratuar Projektligjin për ratifikimin e amendamentimit numër një të Marrëveshjes financiare IPA 2017 përmes të cilit mundësohet rialokimi i shumës prej 2.3 milionë euro nga disa kontrata të pashpenzuara.

Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog duke e arsyetuar këtë projektligj, ka treguar se çka do të mund të përfitohet nga miratimi i tij.

“Qëllimi i amendamentimit të marrëveshjes në fjalë është që të mundësohet rialokimi i shumës prej 2.3 milionë euro nga disa kontrata të pashpenzuara dhe kursime në kuadër të veprimit të programit, përkatësisht instrumentit të përafrimit e Bashkimit Evropian dhe përmes kësaj të mundësohet kontraktimi i kësaj shume në kontrata ekzistuese brenda afatit kontraktual prej tre viteve nga hyrja në fuqi e marrëveshjes origjinale e që data origjinale ka qenë 22 tetor 2018″, ka thënë Bilsimi.

Reklama e sponzorizuar

“Rialokimi do të shtojë 2.3 milionë euro në veprimin numër një instrumenti i përafrimit dhe Bashkimit Evropian, nga veprimi numër dy mbështetja në pjesëmarrje të programeve të BE-së dhe atë në shumën e 300 mijë eurove. Nga veprimi numër tre, mbështetja e Bashkimit Evropian për përparësitë politike dhe dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit në shumën e 1.9 milionë eurove dhe nga veprimi numër pesë mbështetja e Bashkimit Evropian për sistemin e të drejtave të pronësisë intelektuale në Kosovë 0.1 milion euro”, shtoi tutje ai.

Shumat e marra nga këto projekte, sipas Bislimit janë kursime, të cilat do të përdoren për të ndërruar filtrat të Kosovës B dhe për ndërtimin e shkollave të parapara me marrëveshjen financiare paraprake./Buletini Ekonomik/