Sektori mikrofinanciar në vend ka përmbyllur tremujorin e dytë të këtij viti me gjithsej 5.2 milionë euro fitim neto, prej të cilave 2.3 milionë euro iu shtuan vetëm gjatë tremujorit të dytë.
Sipas raportit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) rreth “Vlerësimit Tremujor të Sistemit Financiar për tremujorin e dytë 2021”, performanca pozitive financiare në këtë tremujor ishte kryesisht rezultat i rënies së shpenzimeve kundrejt rritjes së të hyrave në institucionet mikrofinanciare.
Të hyrat e këtij sektori gjatë tremujorit të dytë kanë shënuar vlerën prej 11.6 milionë euro, që sipas të dhënave në raport, paraqet një rritje të të hyrave për 0.9 milionë euro krahasuar me tremujorin e njëjtë të vitit 2020, rritje kjo që i atribuohet edhe të hyrave nga interesi.
“Rritja i’u atribua rritjes së të hyrave nga interesi për 0.5 milionë euro në 10.5 milionë euro gjatë TM2 2021”, thuhet në raport.
Ndërkohë, të hyrat nga jo-interesi tek institucionet mikrofinanciare u rritën për 0.4 milionë euro, duke arritur kështu në 1.1 milionë euro, ku rritja e të hyrave tjera operative kishte peshën më të madhe në rritje.
Ndërkohë sa i përket aseteve, sektori mikrofinanciar regjistroi një rritje vjetore të ngadalësuar të aseteve prej 3.0 përqind (9.9 përqind rritje vjetore në qershor 2020), vlera e të cilave arriti në 322.8 milionë euro në fund të qershorit 2021.
Mirëpo, në baza tremujore, asetet e mikrofinancave kishin një rritje të përshpejtuar prej 7.0 milionë euro gjatë TM2 2021 krahasuar me rritjen prej 3.4 milionë euro në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
“Pritjet për lirim të masave kufizuese gjatë tremujorit të dytë dhe rritjen e hyrjeve në vend nga diaspora u përkthyen në rritje të besueshmërisë së sektorit në aftësinë paguese të konsumatorëve, pritje që u përkthyen në rritje të kërkesës por dhe ofertës kreditore dhe për rrjedhojë, në rritje të aseteve të sektorit mikrofinanciar”, sqarohet tutje në raport.
E normat e interesit për keditë familjare në këto institucione, u rritën në 21.4 përqind në këtë tremujor, kurse për kreditë konsumuese u rritën për 2.5 pikë përqindje duke shkuar kështu në 23.2 përqind.
Sipas raportit të BQK-së, normën më të favorshme të interesit në këtë sektor, vazhdojnë ta kenë kreditë e orientuara në sektorin e shërbimeve dhe ato në sektorin e industrisë.
Kështu, norma mesatare tremujore e interesit për kreditë e shërbimeve dhe industrisë ka shënuar rënie vjetore për 2.3 përkatësisht 2.4 pikë përqindje. Kurse, rritje për 1.2 pikë përqindje kanë shënuar normat e interesit për kreditë ndaj sektorit të bujqësisë.
Kurse, sipas kategorive të kredive, tek kreditë hipotekare, norma mesatare e interesit është zvogëluar për 2.7 pikë përqindje në 19.9 përqind në TM2 të 2021-s.
Në anën tjetër, në baza vjetore, gjithsej kreditë e lëshuara nga sektori mikrofinanciar shënuan rritje për 4.6 përqind në fund të muajit qershor 2021, përderisa stoku i tyre arriti në 218.4 milionë euro.
Pra, kreditimi i sektorit u rrit për të dy kategoritë, si për korporatat jo-financiare ashtu edhe për ekonomitë familjare. Kreditimi ndaj ekonomive familjare kishte shënuar rritje prej 3.9 përqind ( nga 0.3 përqind rënie vjetore në qershor 2020), duke arritur vlerën 143.7 milionë euro në fund të qershorit 2021, kurse vetëm gjatë TM2 2021, kreditë ndaj ekonomive familjare janë rritur për 6.0 milionë euro.
“Stoku i kredive ndaj korporatave jo-financiare në fund të qershorit 2021 arriti vlerën prej 74.8 milionë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 6.0 përqind (rritje vjetore prej 5.4 përqind në qershor 2020)”, thuhet tutje në raport.
Megjithatë, rritja në kreditim ishte më e ulët për pjesën më të madhe të sektorëve. Rritjen më të lartë e kishte sektori i tregtisë, pasuar nga sektori i bujqësisë, përderisa, kreditimi ndaj sektorit të industrisë dhe industrive tjera kishte stagnuar në tremujorin e dytë të 2021-s. (Mirjeta Shabani)/Buletini Ekonomik/