Cilat janë potencialet premtuese që Kosova të ketë goxha energji të rinovueshme, ose një sasi që pak a shumë do të ndikonte deri në vitin 2050, kur nuk do të ketë më rrymë nga qymyri, që të shërbente si stabilizues i sistemit elektroenergjetik të vendit dhe si energji shtesë për nevojat e konsumit tonë?
Mehmet GJATA
Kriza energjetike e shfaqur kudo në botë dhe e paralajmëruar të ndodhë shpejtë edhe në Kosovë, si dhe ndalesat e shumta dhe paralajmërimet për ndalesa shtesë të reja ndaj përdorimit të qymyrit si burim energjetik, domosdo kanë aktualizuar çështjen e të pasurit më shpejtë dhe më shumë energji elektrike të rinovueshme. Tashmë dëgjohen gjithandej, në institucionet kompetente, nga OJQ-të dhe ekspertët energjetik thirrjet për urgjencë për të zëvendësuar kapacitetet tona të bazuara ekskluzivisht te qymyri me ato të energjisë së ripërtëritshme.
Dhe tani për tani Kosova ka fare pak, thuaja sasi simbolike të energjisë së ripërtëritshme. Kosova nuk ka aq mundësi të mëdha për energji të ripërtëritshme, por ka potenciale për energji të rinovueshme. Madje goxha mundësi të mira.
Është e vërtetë, kemi fare pak ujë dhe pak lumenj. Pra, ka fare pak mundësi për ndonjë hidrocentral që mund ta përmendësh fuqinë e tij prodhuese dhe domethënien e tij për stabilitetin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës dhe të konsumit tonë në rritje. Të gjitha hidrocentralet e deritashme në Kosovë bashkarisht kanë fuqi instaluese rreth 100 megavatorë energji elektrike. Nuk bëhet fjalë që shpëtimi energjetik mund të gjendet te hidrocentralet.
Por, cilat janë potencialet premtuese që Kosova të ketë goxha energji të rinovueshme, ose një sasi që pak a shumë do të ndikonte deri në vitin 2050, kur nuk do të ketë më rrymë nga qymyri, që të shërbente si stabilizues i sistemit elektroenergjetik të vendit dhe si energji shtesë për nevojat e konsumit tonë.
Kosova ka potencial për Burime të Renovueshmë të Energjisë (BRE), thonë ekspertët. Potenciali më i lartë është nga dielli dhe relativisht ka edhe potenciale nga era në zona te veçanta, ku shpejtësia e erës, mesatare vjetore tejkalon vlerën e cila i bënë instalimet e turbinave komercialisht të shfrytëzueshme.
Kosova e vogël si territor ka pak tokë për të ofruar për ndonjë kapacitet solar të madh dhe të efektshëm për nga sasia për të kontribuar në përmbushjen e nevojave të konsumit dhe tregut tonë energjetik. Sidoqoftë, potencialet për parqe solare janë të mëdha në Kosovë, krahasuar me burimet e tjera të energjisë së rinovueshme.
Ekspertët numërojnë këto mundësi, duke filluar nga të gjitha sipërfaqet e kulmeve te objekteve komerciale, komunale dhe private të cilat kanë orientimin e duhur lindje-perendim, apo janë të rrafshta. Ndërsa, teoritikisht në çdo sipërfaqe të rrafshët mund të instalohen panelet solare.
Por, sipas Gazmend Kabashit, menaxher i Zyrës për Zhvillim dhe Planifikim Afatgjatë në KOSST, një ndër njohësit më të mirë kosovarë të lëmit të energjisë së rinovueshme, këtu qëndron problemi që çdo hapsirë nuk është e leverdishme të instalohen panele solare (PV).
Sipas tij, tokat bujqësore nuk do të duhej të shfrytëzohen për parqe solare. 100 MW park solar zënë vend në një tokë rreth 200 hektarë. Nëse krahasohet prodhimi i energjisë që japin këto panele solare me prodhimet bujqësore që s’do të ishin më, e që kushtimisht do të duhej të importoheshin nga jashtë, llogaritë thonë se nuk do të duhej që në tokat bujqësore të bëhen instalime të tilla.
Mirëpo, Kabashi duke iu përgjigjur interesimit të Buletinit Ekonomik, për mundësitë e ndërtimit të paneleve solare, thotë se Kosova ka toka të pashfrytëzueshme që do të mund të shfrytëzoheshin për këtë qëllim. Me këtë rast ai tregon për hapësirat e shumta dhe me sipërfaqe të mëdha brenda kompleksit të KEK-ut.
“Ka shumë hapësirë të lirë në mihjet sipërfaqësore të eksploatura, të cilat lehtësisht do të ishin mundësi reale për instalimin e paneleve solare”, thotë Kabashi.
Dhe këto panele solare, sipas tij, do të kishin kapacitet të vlerësueshëm si prodhues solid, madje i madh i energjisë elektrike.
Aktualisht Qeveria është duke përgatitur ligjin mbi BRE-të dhe këtu do të definohet çdo gjë. Sidoqoftë, një potencial i madh dhe shumë i rëndësishëm janë instalimet në kulme, është konkret Gazmend Kabashi. Me këto instalime të mundshme, sipas tij, do të zvogëlohej konsumi dhe rrjedha e fuqisë elektrike në rrjetin transmetues dhe distributiv, që do të thotë do të zvogëloheshin humbjet në rrjet.
Sa i përket parqeve të mëdha, kapacitete ka, por për integrimin e Burimeve të Rinovueshme të Energjisë ( BRE-ve) në rrjetin elektrik shfaqet një problem i madh e i cili është variabiliteti i lartë i fuqisë që japin ato dhe pasiguria e madhe në parashikim. Çka do të thotë kjo. Kabashi e ilustron këtë me një shembull: Nëse kemi një Park Solar 100 megavatësh dhe është duke prodhuar me fuqi maksimale, sipas planit. Mirëpo, nëse një re e dendur papritmas rastis të kalojë mbi këtë park, fuqia bie nga 100 në 10-20 megavatë për disa minuta. Kjo mungesë e fuqisë kushtimisht duhet të sigurohet nga Operatori i Sistemit të Transmisionit dhe Tregut të Energjisë (KOSTT) dhe kjo ka kosto. Me gjuhën profesioniste ky veprim quhet rezerva rregulluese, e cila nevojitet ashtu që kërkesa dhe gjenerimi të jenë të balancuara në kohë reale. Ky shërbim kryesisht realizohet nga njësi fleksibile si hidrocentralet e mëdha, TC me gaz, bateritë etj.
Kosova nuk i ka asnjërën nga këto. Aktualisht, Kosova siguron rezervat rregulluese nga Shqipëria.
Po, a rrezikohet asgjësimi i tokës së bukës nga ndërtimi eventual i këtyre kapaciteteve, përkatësisht a ia vlen që në favor të disa megavatëve energji elektrike të asgjësohen shumë hektarë të tokës së bukës, edhe ashtu të reduktuar në Kosovë?
Po, thotë Kabashi, prandaj nuk do të duhej të lejohej që të humbet toka bujqësore edhe ashtu e paktë që është në Kosovë. Panelet solare gjithandej kur nuk rrezikohet toka bujqësore si në kulmet e shtëpiave, në sipërfaqet e mihjeve sipërfaqësore dhe në vende të tjera që nuk dëmtohet toka e punueshme.
Pak më shumë mundësi për energji të rinovueshme kemi te ndërtimi i turbinave me erë. Tashmë janë ndërtuar dy kapacitete që ia vlen të përmenden, ai i Shalës së Bajgorës me 27 turbina dhe me kapacitet gjithsej 105 megavat-orë dhe Kitka në rajonin e Gjilanit me kapacitet diku 36 MW.
Pas analizave dhe matjeve të shumta vlerësohet se pos dy kapaciteteve të energjisë me erë, parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë, vende këto të identifikuara për mundësitë për të ndërtuar kapacitete energjetike në bazë të erës.
Ekzistojnë disa studime të kryera mbi këtë problematikë. Kryesisht, harta e erës definon potencialin e parqeve me erë, ku me këtë rast lokacionet filtrohen nga lartësia mbidetare nga lokacionet arkeologjike, parqet e mbrojtura kombëtare etj.
Deri më tani sa i përket turbinave me erë ka interesime të shumë operatorëve dhe investuesve potencialë, të cilët kanë kërkuar informacionin e nevojshëm dhe kanë paraqitur kërkesa për të ngritur rreth 500 megavatë energji elektrike nga era.
Parqet me erë prodhojnë energji elektrike (vjetore MWh) rreth dy herë më shumë se sa ato solare p.sh., 300 MW me erë për një vit prodhojnë 300MW x0.31x8760h=815 MWh, ndërsa i njëjti kapacitet solare prodhon: 300MW x0.16x8760h=421 MWh. Një termocentral me linjit apo gaz me madhësi të njëjtë prodhon: 300MW x0.8x8760h=2102 MWh, është konkret me llogaritë Gazmend Kabashi.
Parku solar Selac 1,2 dhe 3 me 27 turbina me kapacitet 105 MW është në fazën testuese dhe prodhimi po duket të jetë mjaft premtues, pasi që lartësia e madhe e turbinave që janë instaluar në Selac e mundëson një kapje optimale të erës. Sa më e lartë turbina dhe sa më e madhe që është, aq më shumë krijon fuqi dhe prodhon më shumë energji elektrike. Nëse vërejmë PE Kitka, ajo ka faktorin e kapacitetit rreth 0.32 (shiko formulat më lartë)
Nga gjitha sa u tha më lartë vetvetiu dhe natyrshëm shtrohet pyetja cilat kapacitete, turbinat me erë, apo ato solare janë më të preferueshme te ne?
Turbinat me erë janë më të preferueshme për sistemin tonë, pasi që ato mund të prodhojnë gjatë tërë ditës në varësi nga shpejtësia e erës, ndërsa solaret p.sh., gjatë dimrit kur koha e pikut është kryesisht në mbrëmje nuk prodhojnë fare, shpjegon Gazmend Begolli për Buletinin Ekonomik.
Ato prodhojnë maksimalisht gjatë verës, kur edhe konsumi është i vogël në Kosovë. Në Shqipëri janë optimale për shkak të kërkesës së madhe verore (turizmit).
Por, ndërtimi i parqeve solare ka kosto dukshëm më të lirë se sa i atyre me erë dhe instalohen shumë më shpejtë dhe janë më të thjeshtë.
Të gjitha mundësitë për të pasur energji të rinovueshme në Kosovë u elaboruan në këtë tekst. Por, deri në 2050 termocentralet nga linjiti që natyra na ka falur në sasi të bollshme dhe me rezerva të shumta, do të jenë shtylla kryesore e furnizimit, gjithsesi e plotësuar me energji të rinovueshme BRE). Integrimi i tregjeve lehtëson integrimin e BRE-ve me kapacitete të larta. Pas 2050-s janë disa opsione që kryesisht do të varen nga inovacionet në të ardhmen si: prodhimi i energjisë nga hidrogjeni, Centralet Nukleare modulare, Kapja e Karbonit, teknologjitë e akumulimit (bateritë, akumulues me kompresion ajri, akumulues gravitacional, Hidrocentral reversibil) etj. Ndoshta, deri në 2050-n mund të perfeksionohet teknologjia e fuzionit dhe i largon jashtë loje të gjitha burimet e tjera. Gjithsesi, Kosova duhet të mendojë dhe të jetë e gatshme për të gjitha zhvillimet energjetike në të ardhmen. /Buletini Ekonomik/