Ministri i Financave, Hekuran Murati ka deklaruar sot është tejkaluar plani i mbledhjes së tatimit në korporata.
Murati ka thënë se dy muaj para përfundimit të vitit, është arritur shuma prej 110 milionë eurove të planifikuara nga Qeveria.
“Megjithëse kanë mbetur edhe më shumë se dy muaj deri në fund të vitit, tatimi në fitim të korporatave, i mbledhur deri tani, tashmë ka arritur nivelin që ishte planifikuar të arrihej tek në fund të vitit. Planifikimi i Qeverisë Hoti për 2021: 98 milionë euro. Planifikimi i Qeverisë Kurti për 2021, me buxhet të rishikuar: 110 milionë euro. Shifra prej 110 milionë euro, e planifikuar për tërë vitin është arritur tashmë, kur kanë mbetur edhe më se dy muaj kohë deri në fund të vitit”, ka shkruar Murati.
Sipas tij, kjo e konfirmon edhe atë që tha raporti i Bankës Botërore se ekonomia e Kosovës po shënon rritje të shpejtë.
“Pra, me performancën e treguar deri më tani, kemi tejkaluar edhe pritjet që kemi pasur në fillim të mandatit. Kjo e konfirmon edhe më tej lajmin që kishim sot nga Banka Botërore, se ekonomia e vendit po shënon rritjen më të shpejtë ekonomike të regjistruar ndonjëherë”, shkruan Murati.