Murati: Nuk ka më nevojë për vërtetim të tatimit në pronë për ta regjistruar veturën

Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati ka njoftuar se tani e tutje nuk do të ketë nevojë për vërtetimin e tatimit në pronë për ta regjistruar veturën.

Murati ka shpjeguar se sot ka nisur për në Qeveri Projekt-Rregulloren mbi pezullimin e disa shërbimeve komunale shkaku i mbledhjes së Detyrimeve të Papaguara të Tatimit në Pronë.

Me anë të kësaj rregulloreje, sipas Muratit, pritet që të përcaktohen shërbimet që mund të pezullohen nga komuna, në rast se pala ka detyrime të papaguara të tatimit në pronë.

Reklama e sponzorizuar

Njëri prej shërbimeve që lirohet nga detyrimi i vërtetimit të Tatimit në Pronë është pikërisht regjistrimi i veturës, i cili deri më tani ka qenë i mundur vetëm me këtë vërtetim, përcjell Buletini Ekonomik.

“Aktualisht, për të regjistruar një veturë, pronari i veturës kërkohet që të nxjerrë edhe vërtetimin që nuk ka borxhe të tatimit në pronë. Kurse me projekt-rregulloren e re, pas miratimit të saj në qeveri, qytetarët s’do të kenë më nevojë të nxjerrin vërtetimin në fjalë kur regjistrojnë veturën”, ka shkruar Murati në Facebook.

Ministri Murati shpjegoi tutje se kjo rregullore do ta lehtësojë procesin e regjistrimit të veturave, sepse heq një detyrim që në fakt ka qenë barrë e vetëm atyre që kanë paguar me rregull faturat e tatimit në pronë, pasi dikush që s’ka paguar tatimin nuk ka provuar fare ta nxjerrë këtë vërtetim.

Gjithashtu, sipas Muratit, kjo ul edhe numrin e veturave të paregjistruara, që është njëri nga kriteret për anëtarësim në Kartonin e Gjelbër, dhe heqjes së pagesës së policave kufitare për bashkatdhetarët tanë.

“Qytetarët megjithatë duhet të paguajnë me rregull faturat e tatimit në pronë, edhe pas heqjes së këtij detyrimi, sepse me ligjin e ri që rregullon këtë çështje, të gjithë personat që kanë borxhe mbi 300 euro, do të trajtohen përmes përmbaruesit”, përfundoi Murati. /Buletini Ekonomik/