Ekonomia e Kinës u rrit me 4.9 për qind në tremujorin e tretë, në krahasim me një vit më parë. Një ritëm më i ngadaltë se sa kishin parashikuar analistët dhe një rritje shumë më e ngadaltë se tremujori i mëparshëm, me pothuajse 8 për qind, duke treguar se rimëkëmbja po dobësohet.
Mungesat e energjisë, përhapja e COVID-19 dhe presioni nga Pekini mbi disa industri, po shkaktojnë dëmet e tyre. Këto ndikime mund të zbehin rritjen për pjesën tjetër të vitit dhe nuk duhet të nënvlerësohen, përcjell Telegrafi.
Ekonomia e dytë më e madhe në botë është përballur me një numër sfidash muajt e fundit. Së pari, çmimet e larta botërore të mallrave kanë ndikuar në koston e lëndëve të para.
Kjo ka ardhur në të njëjtën kohë kur Pekini ka rritur presionin mbi qeveritë rajonale për të zvogëluar emetimet e tyre të karbonit në përputhje me objektivin e vendit për të eliminuar gjurmët e karbonit deri në vitin 2060.
Ndërkohë, shirat e dendur kanë bërë që çmimi i qymyrit të arrijë nivelet më të larta dhe qeveria të braktisë kufijtë e prodhimit. Kjo ka ardhur në të njëjtën kohë kur sektori i pronave në Kinë është përballur me presion në rritje për të frenuar borxhin.
Kompania China Evergrande Group, ka borxh më shumë se 300 miliardë dollarë dhe ndodhet në prag të falimentimit. Ndërkohë, kompania Fantasia dështoi ndërsa Sinic Holdings ka paralajmëruar se është në rrezik të shkojë në të njëjtën rrugë.
Një sërë kompanish kineze po përballen me frenime politike që synojnë transformimin shoqëror. /Telegrafi/