Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovë (FKPK) realizoi kthim bruto nga investimet në vlerë prej 76.4 milionë euro gjatë tremujorit të dytë 2021, krahasuar me kthimin prej 70.3 milionë euro në periudhën e njëjtë të një viti më parë.
Përveç zbatimit të politikave investuese, performanca e kënaqshme e FKPK u ndikua po ashtu nga diversifikimi i portfolios së fondit përmes instrumenteve të reja financiare, duke lejuar kthim më të mirë dhe shpërndarje të rrezikut.
Sektori pensional, si sektori i dytë për nga pesha në sistemin financiar, përbën 26.5 përqind të gjithsej aseteve të sistemit financiar.
Pavarësisht tërheqjes së mjeteve nga kontribut-dhënësit në nivel prej 10 përqind, mundësi e cila u përmbyll në fillim të tremujorit të dytë, gjithsej asetet e sektorit pensional shënuan rritje vjetore prej 7.5 përqind në qershor 2021 dhe arritën vlerën prej 2.16 miliardë euro. Kurse, në baza tremujore, vetëm gjatë TM2 2021, asetet e sektorit pensional u rritën për 109.1 milionë euro (rritje për 93.9 milionë euro në TM2 2020).
Asetet e sektorit pensional përbëhen 99.6 përqind nga asetet e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) dhe 0.4 përqind nga asetet e Fondit Slloveno-Kosovar të Pensioneve (FSKP).
Struktura e aseteve e FKPK-së përbëhet kryesisht nga mjetet e investuara jashtë vendit, por që pesha e tyre gradualisht është zvogëluar kundrejt rritjes së peshës së mjeteve të investuara në vend. Rreth 72.3 përqind e mjeteve të FKPK-së janë të mbajtura jashtë vendit. Saktësisht, në vlera monetare, rreth 1.50 miliardë euro janë të alokuara në fonde të përbashkëta investuese.