Edhe pse Qeveria e Kosovës kohë më parë kishte marrë vendim për t’i mbuluar pagesat për polisa kufitare për bashkatdhetarët, disa prej tyre e kanë paguar atë.
Kjo temë u diskutua në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere ku janë duke raportuar drejtues të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
Zëvendësguvernatori i BQK-së, Sokol Havolli ka thënë se janë të njoftuar për këtë rast, duke potencuar se nuk do të lejojnë që të bahen pagesa të dyfishta, si nga ana e Qeverisë ashtu edhe nga ana e qytetarëve.
“Edhe në vitin 2020 por edhe këtë vit, kemi pasur situata kur nuk është kuptuar drejtë marrëveshja. Në situata të caktuara kemi instruktuar që të merren masat e nevojshme dhe në asnjë situatë nuk do të ketë pagesa të dyfishtë”, ka thënë Havolli.
Krahas kësaj, edhe Guvernatori Fehmi Mehmeti ka shtuar se mundësia e pagesës së polisës për bashkatdhetarët ka qenë edhe online.
Në kuadër të kësaj, Mehmeti ka thënë se në veri të vendit po operojnë banka ilegale dhe për këtë kanë informuar edhe Policinë e Kosovës.
“Në veri të vendi ka dhe për këtë është e i formuar Policia e Kosovës. Një ka qenë në Graçanicë por që ajo është mbyllur, ndërsa në veri të vendit ato ende operojnë”, tha Mehmeti. /Buletini Ekonomik/