Pezullohet nga gjykata revokimi i licencës për “Kosovën e Re”

Kompania e sigurimeve "Kosova e Re"

Gjykata Themelore e Prishtinës ka pezulluar vendimin e BQK-së për revokimin e licencës së kompanisë së sigurimeve “Kosova e re”.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti në Komisionin për Buxhet dhe Financa ka thënë se këtë vendim të Gjykatës së Prishtinës, ata do ta apelojnë edhe në Gjykatën e Apelit pasi sipas tij BQK-ja ka respektuar të gjitha ligjet kur ka dhënë këtë vendim.

“Do ta apelojmë në Gjykatë të Apelit. BQK ka respektuar të gjitha ligjet po flasim për një periudhë 9-mujore të administrimit dhe nuk ka pasur hapa konkret”, ka thënë Mehmeti në komision.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, Sokol Havolli, Zevëndës guvernator i BQK-së gjithashtu ka thënë se nga ky vendim i Gjykatë së Prishtinës është kërkuar që të pezullohet edhe procesi i likuidimit të kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”.

“Vendimi i gjykatës përbën në vete shkelje ligjore sepse ligjet e BQK-së thonë se proceset e likuidimit pavarësisht vendimeve gjyqësore nuk mund të ndalen. Shkelje nuk është që përmendet në vendimin e gjykatës dhe natyrisht që vendimi do të apelohet”, shtoi tutje Havolli.

Banka Qendrore e Kosovës para një muaji ia ka revokuar licencën kompanisë së sigurimeve ‘Kosova e Re’, pas 11 muajve nën administrim të përkohshëm.

E me këtë rast kompania “Kosova e Re” ka shkuar në likuidim, pas paaftësisë së kompanisë për t’i përmbushur kërkesat ligjore për kapital të përcaktuara me ligj./Buletini Ekonomik/