Data 18 tetor do të jetë afati i fundit i paraqitjes së ofertave për blerjen e “Alpha Bank Albania”. Sipas burimeve nga tregu, janë pesë konkurrentë që kanë hyrë në fazën e dytë dhe më të rëndësishme të procesit, kryerjen e “due diligence”. “Due diligence” është procesi i analizimit financiar dhe ligjor të kompanisë në shitje, në përfundim të të cilit blerësit e interesuar mund të formulojnë edhe ofertën zyrtare të detyrueshme për t’u respektuar (binding).
Të pesë konkurrentët e mbetur në fazën e dytë janë banka tregtare të pranishme në tregun shqiptar. Kjo nënkupton se, në rast të mbylljes me sukses të procesit të shitjes së Alpha Bank Albania, sektori bankar do të konsolidohet më tej dhe numri i bankave do të ulet në 11.
Burimet bëjnë të ditur se bankat që kanë kryer “due diligence” me qëllim blerjen e Alpha Bank janë “OTP Bank”, “Fibank”, “ABI Bank”, “Tirana Bank” dhe “Union Bank”.
Surpriza është mungesa e bankës sllovene “Nova Ljubjanska Banka” (NLB Banka), që kishte qenë pjesë e fazës së parë të shprehjes së interesit dhe që ka shfaqur zyrtarisht qëllimin për të hyrë në tregun shqiptar. Sipas ekspertëve, NLB mund të mos jetë ftuar në fazën e dytë, për shkak se oferta indikative e paraqitur në fazën e parë është gjykuar shumë e ulët nga grupi bankar grek.
Megjithatë, nuk përjashtohet që sllovenët të jenë duke studiuar tregun për të bërë një blerje më të rëndësishme, të orientuar ndoshta tek një bankë më e madhe se “Alpha Bank”. Në treg ishte përfolur edhe një interes i mundshëm nga grupi shqiptar i biznesit “Kastrati”, por këto zëra nuk kanë gjetur konfirmim dhe as ky subjekt nuk është pjesë e garës.
Burimet bëjnë të ditur se shitja e “Alpha Bank” është ndër proceset më konkurruese në procesin e shitblerjeve të bankave që nisi në vitin 2015. Një nga arsyet është fakti që “Alpha” perceptohet si një bankë më cilësore krahasuar me ato që janë shitur në gjashtë vitet e fundit me procedura konkurruese. “Alpha Bank Albania” aktualisht ka një raport të kredive me probleme pranë nivelit të 3%, çka tregon një cilësi relativisht të mirë të aktiveve, megjithëse në vitet e fundit performanca financiare e bankës ka qenë e luhatshme dhe jo shumë e kënaqshme.
Vitin e kaluar, “Alpha Bank” e mbylli me rezultat financiar pozitiv, që sipas standardit ligjor IFRS ishte 111 milionë lekë, ndërsa sipas standardit lokal të Bankës së Shqipërisë ishte rreth 320 milionë lekë. Për 6-mujorin 2021, rezultati financiar sipas IFRS është me humbje neto në vlerën e 155 milionë lekëve, ndërsa sipas standardeve të Bankës së Shqipërisë rezultati ishte pozitiv në vlerën e 56 milionë lekëve.
Një faktor që shton konkurrencën për “Alpha Bank” është ambicia e subjekteve ekzistuese, që në vitet e fundit kanë përfituar nga hapësirat që krijoi kriza për të hyrë ose për t’u zgjeruar në tregun. Për shkak të konkurrencës së lartë, gjasat janë që “Alpha Bank” të shitet me çmim më të lartë kundrejt kapitalit aksioner (price to book value) krahasuar me të gjitha bankat e tjera që janë shitur pas vitit 2015.
Megjithëse afati i fundit për dorëzimin e ofertave është e hëna e ardhshme, shpallja zyrtarisht e fituesit të garës dhe nënshkrimi i kontratës së shitblerjes mund të kërkojë minimalisht disa javë, por ndoshta edhe muaj. Nuk përjashtohet që pas paraqitjes së ofertave, grupi grek të tentojë të hyjë në negociata shtesë me ofertuesit më të lartë për t’u përpjekur të marrë një çmim edhe më të mirë. Një praktikë e tillë u ndoq edhe në procesin e shitjes së “NBG Bank Albania”, kur u deshën afërsisht tre muaj nga paraqitja e ofertave deri në lidhjen e marrëveshjes me blerësin.
Shitja e “Alpha Bank” ka një rëndësi të konsiderueshme për sektorin bankar, edhe për një arsye tjetër. Meqenëse pretendentet janë të gjitha banka të pranishme në tregun shqiptar, blerësi i “Alpha Bank” pas bashkimit, me shumë të ngjarë, do të zmadhohet në përmasa të tilla për t’u klasifikuar bankë me rëndësi sistemike.
Të qenët bankë me rëndësi sistemike sjell një ngarkesë rregullatore shtesë, në termat e nivelit të kapitalizimit, kërkesave minimale për instrumentet e kapitalit rregullator dhe detyrimeve të pranuara, ciklit më të shkurtër të mbikëqyrjes, etj.
Në mesin e këtij viti, “Alpha Bank” – Shqipëri zotëronte 4.8% të tregut bankar shqiptar, me një total aktivesh prej rreth 80 miliardë lekësh. /Monitor.al/