Qeveria e Kosovës ka miratuar koncept-dokumentin për procesin e Vettingut në sistemin e Drejtësisë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë prezantimit të këtij koncept-dokumenti para ministrave tha se është “fillim i mirë dhe i mbarë në reformën në sistemin e drejtësisë”.
“Sundimi i ligjit është shumë i rëndësishëm, andaj më shumë se kurrë ne jemi të vendosur që të ketë reforma të rëndësishme të sundimit të ligjit. Të kemi integritetin dhe profesionalizimin në institucionet e drejtësisë dhe të kthejmë besimin e qytetarëve”, tha ajo.
Ndërkaq kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se gjyqësori duhet të jetë i pavarur jo vetëm në formë por edhe në përmbajtje.
“Grupi punues ka propozuar si mundësi të dytë realizimin e vettingut përmes ndryshimeve ligjore. Vettingu do të bëhet përmes një mekanizmi të pavarur. Fazë e parë e vettingut do të mbulojë vlerësimin e këshillit Gjyqësor e Prokurorial, zyrën e Prokurorit të shtetit e të Gjykatës Supreme dhe pozitave të larta”, ka thënë ai.
Ky dokument ka marrë votat e mjaftueshme për miratim në mbledhjen e mbajtur sot në Qeveri.