Qytetarët në pritje të kompensimit për rrymën e paguar për veriun

Hana Muharremi nga Prishtina thotë se institucionet energjetike të Kosovës duhet të kthejnë paratë që kanë shkuar për faturat e energjisë për qytetarët e katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ajo shprehet se ishte e padrejtë që rryma për këta qytetarë të paguhej nga buxheti familjar i qytetarëve në pjesën tjetër të Kosovës.

“Unë e kam kursyer vazhdimisht rrymën vetëm që mos të vijnë faturat shtrenjtë. E këta, i kanë marrë paratë e mia për qytetarët e pjesës veriore. Duhet të kthehen paratë sepse ato janë tonat. Ne nuk kemi mundësi të paguajmë rrymë për dikë tjetër”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.

Reklama e sponzorizuar

Për 18 vjet me radhë, nga 1999 deri më 2017, rryma e shpenzuar nga banorët e katër komunave me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok), u është faturuar konsumatorëve të viseve të tjera të Kosovës dhe faturat për komunat në veri ishin për 3.5 për qind më të shtrenjta.

Por, pas ankesave të shumta, Gjykata e Apelit në fund të vitit 2017 kishte vendosur që kjo praktikë të pezullohet sepse ishte joligjore.

Ndërkohë, Gjykata Themelore në Prishtinë më 11 tetor 2021, në bazë të padisë së ushtruar nga institucioni i Avokatit të Popullit, ka detyruar Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) që të obligojë Shërbimin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KEDS) për kthimin e mbi 40 milionë eurove për qytetarët e Kosovës, të cilët në periudhën nga 2012-2017 kanë paguar rrymën e konsumatorëve në katër komunat e veriut të Kosovës me shumicë serbe.

Vendimi për pagesën e rrymës së banorëve serbë në veri të Kosovës më herët e kishte marrë vetë ZRRE-ja, kurse për inkasimin e faturave, të cilat kanë përfshirë edhe shpenzimet në veri, qytetarët e Kosovës nuk kanë qenë të njoftuar.

Këtë e konfirmon edhe Fatos Behrami nga Prishtina.

“Nuk e kam ditur që kam paguar rrymë për qytetarë të tjerë. Të drejtat e mia nuk është dashur që të barten diku tjetër. Unë nuk kam të drejtë që t’ia paguaj rrymën askujt. Duhet gjithsesi të kompensohen mjetet në fatura, ashtu siç i paskan marrë”, shprehet Behrami për Radion Evropa e Lirë.

Avokati i Popullit: Paratë duhet të kompensohen

Avokati i Popullit, Naim Qelaj thotë se rryma e shpenzuar në veri i është faturuar në mënyrë të kundërligjshme qytetarëve të pjesëve tjera të Republikës se Kosovës dhe njëherësh ky faturim është diskriminues.

Këto mjete ai thotë se duhet të kompensohen.

“Sa i përket kërkesës për kompensim, çdo vendim i anuluar si i kundërligjshëm, ka edhe detyrimin të kthejë pasojat që janë shkaktuar sepse pasojat janë të kundërligjshme bashkë me vendimin”, thotë ai.

Zyrtarë të KEDS-it nuk kanë dhënë ndonjë përgjigje konkrete se a do të kompensojnë dëmin e shkaktuar, por thonë se “kjo çështje ka të bëjë me Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) dhe të gjitha këto vendime i takojnë këtij institucioni”.

Ndërsa, zyrtarë të ZRRE-së paralajmëruan se do ta apelojnë vendimin e Gjykatës Themelore në instanca më të larta, duke mos iu përgjigjur pyetjes sesi do të bëhet kompensimi i mjeteve.

Në përgjigjen e ZRRE-së po ashtu thuhet se “kompanitë e licencuara për të operuar në sistemin e energjisë në vendin tonë nuk kanë pasur mundësi të operojnë në pjesën veriore për shkaqe tashmë të njohura, por energjia elektrike ju shkon konsumatorëve përmes rrjetit të energjisë elektrike”.

Vendim vështirë i realizueshëm, por i domosdoshëm

Vendimi i Gjykatës Themelore të Prishtinës për kompensimin e dëmit të konsumatorëve që kanë paguar për shpenzimet e rrymës në veri, po konsiderohet i parealizueshëm nga Arben Gjukaj, ish-drejtor i Korporatës Energjetike të Kosovës. Ai thotë se në vendim ka shumë paqartësi se në çfarë forme dhe ndaj kujt do realizohet kompensimi.

“Kur thuhet se këto mjete duhet të kthen apo t’iu kompensohen qytetarëve, këtu janë dy probleme. E para, për cilin konsumator bëhet fjalë, duhet të emërohet cili konsumator sepse gjatë këtyre vite janë ndryshuar konsumatorët. Ka lëvizje të konsumatorëve. Duhet të emërohet juridikisht konsumatori. Dhe e dyta, shuma sesa duhet të kompensohet konsumatori. Pra, ka shumë paqartësi”, thekson Gjukaj.

Edhe Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), thotë për Radion Evropa e Lirë se zbatimi i vendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës nuk do jetë i lehtë, por që duhet të zbatohet.

“Mundësia është që në fatura të energjisë elektrike të reduktohet kjo shumë e pagesës. Ne si konsumatorë edhe në bazë të Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit, kemi të drejtë në kompensimi në raste kur bëhet shkelje ndaj nesh dhe ne në këtë rast kemi paguar edhe për shërbime që nuk i kemi marrë”, shprehet ai.

Pse është faturimi shtesë për rrymën e shpenzuar ne veri është shkelje e të drejtave të njeriut?

Avokati i Popullit i Kosovës ka ushtruar padi kundër vendimit të Zyrës ë Rregullatorit për Energji në Prishtinë në vitin 2012, i cili sipas ZRRE-së ka shërbyer si bazë për faturimin e rrymës së shpenzuar në katër komunat veriore, qytetarëve që jetojnë në pjesë të tjera të vendit.

“Krahas padisë për konfliktin administrativ ka paraqitur edhe kërkesë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të kontestuar të ZRRE-se dhe se Gjykata Themelore në Prishtinë, më 11 shtator 2017, e ka aprovuar kërkesën e Avokatit të Popullit dhe që nga atëherë qytetarët e Kosovës nuk u faturohet rryma e shpenzuar në katër komunat veriore të vendit, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

Në përgjigjen e Institucionit të Avokatit të Popullit, po ashtu thuhet se “lidhur me këto pagesa janë konstatuar shkelje të të drejtave të njeriut. Kjo praktikë e faturimit paraqet shkelje të së drejtës së pronës, të garantuar me Kushtetutën e Republikës se Kosovës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut si dhe sjell deri te pasurimi i pabazë”.

Qytetarët indirekt ende paguajnë rrymën në veri

Nga dhjetori i vitit 2017 e deri në fund të vitit të kaluar, 40 milionë euro vlerësohet vlera e energjisë së tërhequr nga sistemi inter-konektiv për mbulimin e humbjeve për pjesën veriore të Kosovës, është thënë në një përgjigje nga Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike të Kosovës (KOSTT) dhënë në muajin prill për Radion Evropa e Lirë. Kjo kompani është publike me 100 për qind të aksioneve shtetërore.

Kurse, Dardan Abazi thotë se në çfarëdo forme që bëhet kompensimi, barra u bie prapë qytetarëve të Kosovës.

“Të mos harrojmë se këtë pagesë është duke e bërë KOSTT-i, që i bie se ne si qytetarë po e paguajmë këtë pjesë. Pra, edhe me pjesën e kompensimit, mendoj se ky kompensim do i bie barrë shtetit, prapë qytetarëve në njëfarë forme, sepse këtë pagesë nuk do ta bëjnë kompanitë private që janë në tregun e energjisë”, thekson Abazi.

Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga Albin Kurti në maj të këtij viti ka ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës për qytetarët në veri të vendit.

Qytetarët e veriu: Nuk e paguajmë rrymën sepse askush s’e paguan

Banorët e komunave me shumicë serbe (Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan e Zubin Potok) nuk i paguajnë faturat e rrymës që nga përfundimi i luftës në Kosovë më 1999, edhe pse me rrymë janë furnizuar nga Kosova, e sipas nevojës edhe nga Serbia.

“Jo, kush e paguan rrymën? Askush nuk e paguan, nuk e paguaj as unë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Mirosllav Antiq nga Mitrovica e Veriut.

“Nuk e paguaj. Faturat nuk po vijnë, nuk i kemi njësorët për rrymë. Nëse një ditë duhet të paguajmë, do të paguajmë”, Ognjen Karamarkoviq.

Zyrtarë të sektorit të energjisë e kishin të pamundur qasjen në veri të Kosovës dhe nuk arritën të lexojnë njehsorët, t’ua dërgojnë faturat qytetarëve në veri dhe as të mbledhin të hyrat për energjinë e shpenzuar atje.

Kështu që rreth tetë milionë euro në vit llogariten faturat e energjisë elektrike, të qytetarëve që jetojnë në ato komuna. Këto mjete, që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 e deri në vitin 2017, janë paguar nga konsumatorët e viseve tjera, ndërsa nga viti 2017, borxhet e asaj pjese janë paguar nga buxheti i Kosovës.

Qytetarët serbë ne jug të Ibrit, megjithatë e kanë eksperiencë tjetër.

“Normalisht që po e paguaj, rregullisht. Shumë është shtrenjtë. Nëse nuk e paguaj, menjëherë ma ndalin (rrymën). Edhe më shumë nuk kemi sesa kemi rrymë”, thotë Predrag Ristiq nga Komuna e Graçanicës.

“Rregullisht e paguaj, edhe që moti. Nëse nuk e paguajmë, menjëherë e ndalin”, thotë Vesna Stankoviq./REL/