Remitencat, përcaktuese të ecurive zhvillimore të Kosovës

Nga të dhënat e BQK-së, shihet se remitencat kanë prekur lartësitë e grafikonëve, dhe duke krahasuar ato ndër vite, dalin të jenë shifra rekorde. Vetëm gjatë muajve janar-gusht të këtij viti, diaspora jonë ka dërguar dhe ka sjellë direkt apo nëpërmjet transfereve bankare rreth 750 milionë euro. Është rekorde kjo shifër pra, sepse vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë, remitencat e diapsorës kanë qenë 527 milionë euro.

Mehmet GJATA

Është e sigurtë që tani, pra afro 3 muaj pa mbaruar viti, se 2021-ta do të jetë një vit rekord i remitencave të ardhura, të arkëtuara, dhe gjithsesi një pjesë e tyre të konsumuara tashmë në Kosovë. Nga të dhënat e institucioneve të pavarura kompetente për vëzhgimin dhe përcjelljen e ecurive financiare në vend, shihet se remitencat kanë prekur lartësitë e grafikonëve, dhe duke krahasuar ato ndër vite, dalin të jenë shifra rekorde.

Reklama e sponzorizuar

Vetëm gjatë muajve janar-gusht të këtij viti, diaspora jonë ka dërguar dhe ka sjellë direkt apo nëpërmjet transfereve bankare rreth 750 milionë euro. Është rekorde kjo shifër pra, sepse vitin e kaluar, në të njëjtën periudhë remitencat e diasporës kanë qenë 527 milionë euro, të vlerësuara poashtu edhe vjet si shumë goxha e madhe, madje edhe rekorde.

Edhe Banka Qendrore e Kosovës (BQK) me llogaritë e saja, ka ardhur në përfundim se vlera e remitencave në Kosovë për periudhën janar-gusht 2021, ka arritur në 749.6 milionë euro.

Sipas BQK-së, vlera totale e remitencave më 2020 ishte 608.4 milionë euro. Sidoqoftë, sivjet del që deri në gusht janë rreth 200 e sa milionë euro më shumë se në vitin e kaluar.

Dhe këto para janë shumë për Kosovën e vogël dhe të varfër. Në fakt janë shumë edhe për një shtet shumë më të madh dhe shumë më potent financiarisht dhe ekonomikisht sesa Kosova. Prandaj, edhe vlerësimet se ekonomia e Kosovës dhe mbarë proceset zhvillimore janë të ndërvarura goxha shumë nga paratë që diaspora dërgon në Kosovë qëndrojnë dhe janë reale.

Pikërisht, duke u mbështetur në të dhënat e prurjes së sivjetshme të remitencave nga diaspora, Banka Botërore (BB) në raportin e bërë publik në fillim të tetorit, ka konkluduar se aktiviteti ekonomik në Kosovë gjatë vitit 2021 pritet të zgjerohet në 7.1 për qind, rritje kjo e nxitur para së gjithash nga prurjet financiare të diasporës dhe nga masat mbështetëse fiskale të ndërmarra nga vendimmarrësit aktual.

Dhe, kjo rritje nëse vërtetë realizohet, për rrethanat aktuale kosovare është kolosale. Sepse, sipas raporteve vjetore të Bankës Qendrore të Kosovës, ekonomia e Kosovës në vitin 2019 kishte shënuar rritje reale gjithsej 3.9 për qind. Për vitin 2020, kjo rritje ishte parashikuar të ishte 4.2 për qind, por si pasojë e pandemisë dhe masave kufizuese, ekonomia e Kosovës, sipas Bankës Botërore ka pasur rënie deri në -5.3 për qind.

Prurjet financiare të diasporës pra, shtojnë shpresat se do të arrihet të zbuten dhe pak a shumë të kompensohen dëmet dhe humbjet e shkaktuara nga pasojat e pandemisë dhe masat kufizuese detyrimisht të ndërmarra për ta penguar përhapjen e COVID-19.

Remitencat rekorde sivjet i sollën kosovarët me ardhjen masovike në vendlindje, sidomos gjatë qershorit, korrikut dhe gushtit. Me ardhjen e tyre kaq masovikisht u dëshmua se mërgata jonë është shumë më e madhe numerikisht sesa që supozohet nga autoritetet që përmendin publikisht shifra të bazuara në rezultatet preliminare të regjistrimit të diasporës. Pra, u përgënjeshtruan shifrat e supozuara zyrtare dhe jozyrtare për diasporën kosovare.

Numri i avionëve, autobusëve dhe automjeteve private që sollën mërgimtarët tanë në këtë verë, dhe paratë që sollën ata në vendlindje (janar – gusht 750 milionë euro) i përgënjeshtrojnë bindshëm të dhënat zyrtare se numri i mërgimtarëve të cilët i janë përgjigjur regjistrimit është rreth 350 mijë. Janë shumë më shumë, madje edhe dyfishi e më shumë se ky numër i regjistrimit të tyre.

Buletini Ekonomik, për të qenë më konkret, në disa raste ka bërë publike të dhënat zyrtare që tregojnë për numrin e personave që kanë hyrë në Kosovë përmes transportit rrugor dhe ajror gjatë muajit korrik dhe gusht 2021, dhe që pak a shumë flasin për shifra enorme të numrit të mërgimtarëve tanë.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, të bëra publike për medien kosovare, në muajin qershor numri i personave që kanë hyrë përmes transportit rrugor ka qenë 1.858,533, kurse ky numër në muajin korrik është rritur për 1.032,318. Vetëm brenda 15 ditëve të muajit gusht në Kosovë kanë hyrë 1.409,502 persona.

Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, numri i udhëtarëve në muajin korrik ishte 340 mijë e 446. Krahasuar me periudhën e njëjtë kohore të vitit 2019, ka pasur rritje për 60 mijë e 433 udhëtarë. Në 15 ditë të muajit gusht janë realizuar 738 fluturime me 91 mijë e 634 udhëtarë.

Në Organizatën joqeveritare ‘Germin’, që merret kryesisht me çështje të diasporës, kanë vlerësuar se nga fundi i muajit qershor deri në fillim të muajit gusht, rreth 1 milion qytetarë nga diaspora kanë ardhur në Kosovë.

Muajt e verës 2021 treguan gjithanshëm se diaspora jonë numerikisht shumë e madhe mbetet akoma shumë e lidhur me trevën e tyre dhe e përkushtuar ndaj familjarëve të tyre. Por, duke qenë e tillë, ajo është bërë domosdo si përcaktuese e ecurive zhvillimore në Kosovë. Sepse duke sjellë paratë e tyre këtu, ngjallën ekonomitë familjare dhe rritën ndjeshëm të hyrat e vendit amë.

“Vetëm gjatë muajit korrik dhe gusht mbi 50 për qind ka pasur rritje të shitjes së prodhimeve tona”, kanë thënë për Buletinin Ekonomik shumë prodhues kosovarë.

Për prurjet e pandalura financiare të diasporës kosovare flasin edhe të dhënat e Bankës Botërore. Sipas këtyre të dhënave, në vitet pas pavarësisë në Kosovë si remitenca janë dërguar 12.6 miliardë euro. Këto janë fakte. Bashkëatdhetarët tanë u treguan të vendosur dhe të gatshëm për ta ndihmuar vendin.

I gatshëm, me vullnet dhe politik duhet të tregohet edhe shteti i Kosovës, institucionet dhe autoritetet e tij, për një bashkëpunim më të gjithanshëm me diasporën dhe për një trajtim më serioz të mërgatës sonë.

Nuk mjafton në asnjë mënyrë, një takim i kreut të komunës me përfaqësues të mërgimtarëve, as vetëm një koncert apo një mbrëmje tjetër artistike me ndonjë nga artistët e estradës sonë. Duhet të ndryshojë qasja institucionale e shprehjes së joshjes së diasporës për të investuar realisht në ndonjë kapacitet prodhues industrial apo bujqësor në vendlindje.

Me rëndësi parësore tani është të mbahen saktësisht premtimet e dhëna ndaj tyre në takimet me rastin e ardhjes këtu, por edhe të vizitave të ndryshme të zyrtarëve të Kosovës në mesin e diasporës. Në asnjë mënyrë mos të lihen jashtë rrjedhave të zhvillimeve ekonomike e shoqërore, siç ndodhi në shumë raste deri më tani. Askush nuk mund ta mohojë se nuk pati deri tash anashkalime të bisnesmenëve nga diapora, qoftë në procesin e privatizimit të Kosovës, qoftë në procesin e tenderimit të punëve të ndryshme në procesin e prodhimit dhe në kryerjen e shërbimeve, për çka kompanitë e ndryshme të diasporës sonë po vlerësohen tashmë si shumë kompetente dhe profesioniste në vendet ku po afarojnë me bisneset e tyre.

Për secilin vizion a plan konkret për kapacitete të reja prodhuese e të shërbimeve, paraprakisht duhet të njoftohet deri në detaje diaspora jonë. Dhe të vlerësohen si të barabartë në garën eventuale konkurruese. Në këtë kontekst, të studiohen përvojat e mira të vendeve me diasporë të madhe numerikisht, dhe pse jo të mësohet nga këto përvoja. Këto dhe çështje të tjera jetike për diasporën tonë duhet në vazhdimësi të trajtohen me vëmendje nga qeveria Kurti. Këtë vëmendje e meriton mërgata jonë, por ajo detyrimisht, nëse jo në vendin amë, diku do t’i investojë kursimet e veta, që po shihet se nuk janë për t’u nënçmuar. /Buletini Ekonomik/