Rezervat e arit në minierat ruse kah fundi

Moskë, tetor – Pavel Graçev, drejtor i përgjithshëm në minierën më të madhe të arit në Rusi “Polus”, ka tërhequr vërejtjen se rezervat e arit në minierat ruse me shpejtësi po mbarojnë. Ai parashikon që kompanitë xehetare do të harxhojnë rezervat e tyre minerare gjatë 20 vjetëve të ardhshëm.

Sipas Graçevit, rezervat në zbulimet ruse të arit, aktualisht janë diku rreth 8 mijë tonë, ndërsa prodhimi vjetor është 330 tonë, transmetojnë mediat ruse.

“Nëse ky trend nuk ndryshon, industria e arit ka mundësi të ballafaqohet me mungesë të lëndës së parë në 10-20 vjetët e ardhshëm”, ka thënë ai duke shtuar se Polusit i kanë mbetur rezerva të arit edhe për 37 vjet prodhim.

Reklama e sponzorizuar

Graçev ka potencuar se resurset nacionale të paripërtëritshme të arit janë përgjysmuar gjatë disa viteve të fundit, gjegjësisht nga 62 për qind kanë rënë në 30 për qind. Ai ka apeluar te investimet private dhe hulumtimet gjeologjike në mënyrë që të ndërprehet trendi i zvogëlimit të resurseve të arit në Rusi. /Përktheu: Buletini Ekonomik/