Rritet eksporti dhe importi i mallrave në Kosovë

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 43.1% në muajin shtator 2021, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2020, gjegjësisht në vlerë prej 351.3 milionë eurosh, krahasuar me deficitin 245.5 milionë eurosh në vitin 2020.

Në njoftimin e ASK-së thuhet se eksporti mbulon importin me 16.5%.

Eksporti i mallrave në muajin shtator 2021 kishte vlerën 69.3 milion Euro, ndërsa importi 420.6 milion Euro, që është një rritje prej 66.2% për eksport dhe 46.4% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.

Reklama e sponzorizuar

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 29.4% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 24.4% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 9.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 7.9% e përbëjnë produktet bimore; 7.2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.9% e përbëjnë produktet minerale; 3.3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 16.3% e përbëjnë mjetet e transportit; 13.1% e përbëjnë produktet minerale; 12.4% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 10.5% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.2% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 6.8% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 19.3 milionë euro, ose rreth 28.0% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 40.4%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (8.6%), Italia (5.8%), Holanda (2.4%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 158.0 milion Euro, ose 37.6% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 34.7%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (11.4%), Greqia (4.2%), Sllovenia (4.0%), Italia (3.9%), etj.

Në muajin shtator 2021, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së arritën në 23.4 milionë euro, ose 33.8% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 26.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Shqipëria (14.2%), Maqedonia e Veriut (10.8%), Serbia (4.8%), dhe Mali i Zi (3.0%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së në muajin shtator 2021 arritën në 78.8 milion euro, ose 18.7% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 26.1%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (6.2%), Serbia (6.0%), dhe Maqedonia e Veriut (5.0%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 26.5 milion Euro, ose 38.2%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (19.2%), dhe Zvicra (6.6%).

Ndërsa importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 183.8 milionë euro, ose 43.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (11.0%) dhe SHBA (10.9%).