Rumani, hyn në treg kompania daneze e energjisë së rinovueshme

Kompania daneze e burimeve të rinovueshme European Energy tha se ka hapur një filial në Rumani, si pjesë e strategjisë së saj për të zgjeruar gjurmët ndërkombëtare dhe për t’u bërë lojtar kyç në tregun vendas.

Duke filluar nga shtatori, Ioannis Kalapodas u emërua shef i Zyrës së Bukureshtit dhe do të udhëheqë aktivitetet lokale të European Energy, deklaroi kompania në një njoftim për shtyp.

Në rolin e tij të ri, Ioannis Kalapodas do të përqendrohet në strategjinë e zgjerimit të European Energy në tregun rumun, duke synuar të rrisë praninë e kompanisë përmes zhvillimeve dhe investimeve.

Reklama e sponzorizuar

“Rumania po përgatitet për një rritje të konsiderueshme në sektorin e rinovueshëm, i cili do të çojë në një transformim të madh të sektorit të energjisë lokale dhe gjithashtu në shumë përfitime për konsumatorët dhe mjedisin” – tha Kalapodas.

“Tendencat në botë janë shumë të qarta: teknologjia dhe çmimet po përshpejtojnë rritjen e energjisë së rinovueshme në vitet e ardhshme dhe ne jemi të lumtur që po kontribuojmë në tranzicionin e gjelbër të Rumanisë, një vend i cili konsiderohet ndër përparësitë kryesore botërore.”

European Energy po hyn në tregun rumun në një kohë kur vendi planifikon të shtojë 6.9 GW kapacitet të ri të energjisë së rinovueshme para vitit 2030. Më shumë se 3.7 GW të këtij kapaciteti parashikohet të jenë projekte të energjisë diellore. Rumania synon të arrijë një pjesë prej 30.7% të burimeve të rinovueshme në konsumin e energjisë deri në vitin 2030, vuri në dukje European Energy.

Sipas kompanisë, ky objektiv ambicioz po i jep Rumanisë një rol të rëndësishëm në Europën Qendrore dhe Lindore dhe do të ketë ndikim të madh në uljen e emetimit të CO2 në vend.

“Pas disa vitesh ngecje të investimeve të mëdha në sektorin e energjisë së rinovueshme, të shkaktuara nga legjislacioni, tregu rumun po bëhet gjithnjë e më interesant”.

Rumania ka një kapacitet total prej 3 GW në energjinë e erës dhe pothuajse 1.4 GW në termocentralet diellore, sipas të dhënave të Autoritetit Rregullator të Energjisë Rumune. Me shtesat e planifikuara, kapaciteti i instaluar i vendit për prodhimin e energjisë elektrike nga këto burime të rinovueshme do të dyfishohet deri në fund të vitit 2030, tha European Energy.

Kërkesa në rritje për energji të rinovueshme jo vetëm që do të ndryshojë përdorimin e energjisë elektrike, por gjithashtu do të transformojë sektorët e transportit të rëndë dhe ngrohjen e ndërtesave në dekadat e ardhshme, shtoi ai.

E themeluar në vitin 2004, European Energy ka instaluar dhe investuar në afërsisht 2 GW enegji të erës dhe diellit në 16 vende dhe aktualisht ka 1.1 GW kapacitet të energjisë së rinovueshme që po ndërtohet në tetë vende në Europë, Brazil, SHBA dhe Australi.