Të ardhurat nga taksat evropiane në rënie për herë të parë në një dekadë

Vitin e kaluar, të ardhurat nga taksat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore ranë në vendet e Bashkimit Evropian për herë të parë që nga viti 2009, për shkak të pandemisë së COVID-19.

Agjencia e statistikave e BE-së, Eurostat tha sot në një deklaratë se vendet e bllokut mblodhën rreth 5,5 trilionë euro (6,4 trilionë dollarë) në taksa dhe kontribute të sigurimeve shoqërore në 2020, 215 miliardë më pak se në 2019.

Reklama e sponzorizuar

Vetëm në eurozonë të ardhurat ranë me 206 miliardë euro.

“Kjo ishte hera e parë, në më shumë se një dekadë, që të ardhurat nga taksat ranë”, shkruan statisticienët.

Sipas Eurostat, arsyet e rënies ishin rënia e përgjithshme ekonomike gjatë pandemisë dhe masat e ndihmës, si ulja e taksave, që u zbatuan për të zbutur efektet e krizës.

Megjithatë, në lidhje me produktin ekonomik, të ardhurat nga taksat si përqindje u rritën lehtas, pas tkurrjes së ekonomive të BE-së gjatë pandemisë.

Vitin e kaluar, taksat dhe kontributet e sigurimeve shoqërore arritën në 41,3 për qind të PBB-së së vendeve të BE-së, në krahasim me 41,1 për qind një vit më parë./atsh