Libani nuk ka energji elektrike pasi dy termocentralet më të mëdhenj të vendit u mbyllën për shkak të mungesës së karburantit, tha një zyrtar qeveritar.
Madje, ndërprerja e energjisë elektrike do të vazhdojë për disa ditë, shtoi zyrtari.
“Rrjeti energjetik libanez ndaloi plotësisht punën mesditën e sotme dhe nuk ka gjasa që ai të vihet përsëri në funksion deri të hënën e ardhshme, ose për disa ditë”, citohet të ketë thënë ai.
Termocentrali është ndalur në Zahrani, pasi uzina e Deir Ammar u ndal së punuari të premten si rezultat i mungesës së karburantit.
Libani është paralizuar nga një krizë ekonomike, e cila është thelluar pasi furnizimet me karburant të importuar janë zvogëluar. Ndërkohë monedha libaneze ka rënë në vlerë me 90% që nga viti 2019.