Prodhimi i energjisë diellore u rrit me 22% në vitin 2019 dhe sot është burimi i energjisë elektrike më ekonomik në histori – sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë
Energjia diellore është sot burimi më ekonomik i energjisë elektrike në histori, sipas Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (International Energy Agency – IEA).Prodhimi i energjisë diellore u rrit me 22% në vitin 2019, duke e bërë teknologjinë e dytë të rinovueshme me rritjen më të shpejtë, pas energjisë së erës.
Më poshtë janë tre projekte që shtyjnë kufijtë e kapacitetit të energjisë diellore.
Parku diellor lundrues
Një mal i ftohtë duket si një vend i nxehtë i pazakontë për energji diellore. Por mendoni pak për gjithë atë borë të bardhë dhe akullin si dhe dritën e diellit që reflektohet. Aftësia reflektuese e sipërfaqeve të shndritshme quhet “efekti albedo” – kjo është arsyeja se pse një park diellor në Alpet Zvicerane mund të prodhojë po aq shumë rrezatim diellor sa shkretëtira.
Në kufi mes Zvicrës dhe Italisë, mbi 1800 metra mbi nivelin e detit, në liqenin artificial Lac des Toules është ndërtuar parku diellor lundrues në lartësinë më të madhe në botë. Sipas Romande Energie, kompania zvicerane e energjisë që qëndron pas projektit, mund të prodhojë 50% më shumë energji krahasuar me impiantet në një lartësi më të ulët, për shkak të rrezatimit më të fortë diellor.
Projekti pilot prodhon 800.000 kilovat/orë energji në vit, mjaftueshëm për të furnizuar më shumë se 220 shtëpi. Plani në vitin 2022 është zgjerimi i kapacitetit të paneleve të parkut për të prodhuar 22 milionë kilovat/orë – e barabartë me konsumin mesatar të 6100 familjeve.
Parku diellor në distancë
80 milje në veri të Rrethit Polar është në proces zhvillimi një tjetër projekt pionier i parqeve diellore, në territorin malor Yukon në Kanadanë Veriperëndimore. Old Crow, një komunitet i largët me rreth 300 banorë, që mund të arrihet vetëm me rrugë ajrore, shpreson që infrastruktura e re diellore do të shmangë djegien e 200.000 litra naftë në vit për të siguruar energji elektrike.
Më shumë se 2000 panele diellore janë instaluar pranë pistës ajrore të komunitetit për të “shfrytëzuar orët e gjata me dritë gjatë ditës dhe trajektoren e diellit gjatë verës në Arktik”, shpjegon Këshilli Arktik, i cili promovon bashkëpunimin në Arktik. Edhe me dritën minimale gjatë ditës, “drita e dobët e diellit reflektohet në borë dhe prodhon energji elektrike”, thotë ai. Pasi të jetë plotësisht funksional, pritet që parku diellor të reduktojë emetimet e gazeve serrë me 680 tonë CO2 në vit –e barabartë me heqjen e 140 makinave nga rruga.
Park diellor mbi kanalet vaditëse
Në anën tjetër të botës, India ka mjaftueshëm diell– por këtu, gjetja e terreneve për të ndërtuar parqe diellore është e kushtueshme dhe e vështirë.
Është një ndër vendet me dendësinë më të madhe të popullsisë në botë, dhe toka është e nevojshme për të jetuar dhe për bujqësi. Kanalet në Indi po ofrojnë një zgjidhje inteligjente. Panelet diellore montohen sipër kanalit vaditës për të furnizuar me energji elektrike zonat rurale. Avantazhi tjetër është reduktimi i avullimit nga kanalet, të cilat transportojnë ujin në tokat bujqësore.
India ka rreth 120 sisteme kanalesh kryesore. Vetëm shteti i Gujarat ka më shumë se 80.000 kilometra kanale vaditëse. Nëse 30% e tyre do të shndërroheshin në panele diellore, vlerësohet se do të shpëtonin 36.400 hektarë tokë dhe do të gjeneronin 18.000 megavat energji, sipas Gujarat State Electricity Corporation Limited. Shteti e përuroi impiantin e parë diellor mbi kanal, në shkallë të gjerë, në vitin 2015. Që atëherë, projekte diellore në kanale vaditëse janë vënë në punë në tetë shtete të tjera indiane.
Energji diellore e qëndrueshme
Sipas IEA, tregje të mëdha si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kina dhe Bashkimi Europian do të ndihmojnë energjinë diellore të arrijë rreth 125 GW kapacitet në vit, nga tani në vitin 2025.
E ndërkohë që konkurrueshmëria rritet, energjia diellore është në rrugën e duhur për të arritur nivelet e përshkruara në Skenarin e Zhvillimit të Qëndrueshëm të IEA, i cili kërkon rritje mesatare vjetore prej 15% deri në vitin 2030. /Monitor.al/