Tri sfidat ekonomike të Qeverisë së re gjermane

Kancelarja Angela Merkel e ka udhëhequr Gjermaninë nëpër shumë kriza gjatë 16 vjetëve të fundit, por ajo gjithashtu ka lënë pas një trashëgimi të përzier dhe nuk ka arritur të trajtojë disa probleme të thella strukturore në ekonominë më të madhe të Evropës.

Pavarësisht një “dekade të artë” të rritjes së pandërprerë ekonomike dhe të tepricave buxhetore, shumica e ekonomistëve pajtohen se Gjermania ka lënë pas dore infrastrukturën e saj publike dhe ka investuar shumë pak në digjitalizim.

Instituti Ifo parashikon që ekonomia gjermane të rritet për 5.1 për qind në vitin 2022. Kjo do të ishte rritja më e madhe që nga lulëzimi ekonomik i fillimit të viteve 1990, përkatësisht pas ribashkimit të Gjermanisë.

Reklama e sponzorizuar

Megjithatë, nën sipërfaqen e ndritur, gjërat duken më pak të ndritshme.

Nëse Gjermania dëshiron të shmangë rënien e mëtejshme gjatë viteve të ardhshme, qeveria e re e koalicionit duhet të merret me këto tri sfida:

Digjitalizimi

Nën mbikëqyrjen e Merkelit, Gjermania ka mbetur prapa në aspektin e digjitalizimit. Kjo është gjetje e një sondazhi që ka kryer Qendra Evropiane për Konkurrencën Digjitale, me qendër në Berlin. Sondazhi është publikuar në shtator, pak para zgjedhjeve parlamentare.

Gjermania është renditur e 18-ta në mesin e G20-ës, grupit të vendeve më të industrializuara. Vetëm Japonia dhe India kanë dalë më keq.

Synimi i qeverisë për të ofruar internet të shpejtë përmes një rrjeti mbarëkombëtar, është ende larg. Ende ka shumë pak kabllo me fibra optikë, sidomos në zonat rurale.

Gjermania gjithashtu ka ngecur në zgjerimin e komunikimeve mobile 5G, duke ngadalësuar kështu bizneset e vogla dhe të mesme në rajone të caktuara.

Vendi ka edhe mungesë të specialistëve të teknologjisë së informacionit (IT).

Sipas asociacionit të industrisë Bitkom, 86,000 pozita për ekspertë të IT-së janë aktualisht të lira. Shtatë nga dhjetë kompani ankohen për mungesë të specialistëve IT dhe 60 për qind e tyre presin që situata të përkeqësohet në vitet e ardhshme.

Ballkani post-Merkel

Mungesat e çipave

Industria e fuqishme e makinave në Gjermani po lufton të rrisë prodhimin pas krizës së koronavirusit, për shkak të mungesës së gjysmëpërçuesve dhe përbërësve të tjerë.

Prodhuesit e automjeteve dhe furnizuesit mbështeten pothuajse ekskluzivisht në çipa nga vetëm disa prodhues në Azi dhe Shtetet e Bashkuara. Por, ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit kanë ekspozuar një thembër të Akilit në modelin e biznesit gjerman.

Gjermania ka lulëzuar në prapavijë të globalizimit, megjithëse rrjeti mbarëbotëror i zinxhirëve të furnizimit, që i ka dhënë hov ekonomisë së saj, tani po del të jetë një dobësi kritike.

Mbi 77 për qind e kompanive industriale kanë raportuar vështirësi në blerjen e ndërmjetësve dhe lëndëve të para në muajin shtator, ka treguar një sondazh i Institutit Ifo. Në mesin e kompanive të makinave, kjo shifër ka qenë e paparë: 97 për qind.

Mungesat e mikroçipave dhe përbërësve të tjerë industrialë janë duke e penguar rimëkëmbjen ekonomike këtë vit, duke i detyruar shefat e kompanive dhe politikëbërësit t’i rimendojnë linjat e furnizimit dhe të përpiqen të zvogëlojnë varësinë nga një pjesë e vogël e furnizuesve aziatikë dhe amerikanë.

Në aleancë me Bashkimin Evropian, Gjermania dhe Franca duan të investojnë miliarda euro në skemat e ndihmës shtetërore, për të mbështetur ndërtimin e fabrikave lokale të çipave dhe zhvillimin e gjysmëpërçuesve.

Plakja e shoqërisë

Gjermania po plaket si pasojë e niveleve relativisht të ulëta të lindjeve dhe migracionit të pabarabartë.

E ballafaquar me një shoqëri në plakje dhe fuqi punëtore në tkurrje, Merkel ka injoruar në masë të madhe thirrjet për të ndërmarrë më shumë hapa për të reformuar sistemin publik të pensioneve dhe për t’i bërë rregullat e migracionit më fleksibile.

Sipas rregullave ekzistuese, të vendosura nga Qeveria e parë e Merkelit në vitin 2006, mosha në të cilën gjermanët mund të sigurojnë pensionin e plotë shtetëror, pa shkurtime, rritet gradualisht nga 65 në 67 vjeç deri në vitin 2031.

Një panel i këshilltarëve ekonomikë ka sugjeruar rritjen e pragut të moshës së pensionit në 68 vjeç deri në vitin 2042.

Por, kjo është refuzuar nga ministri në largim i Financave, Olaf Scholz, i cili mund të bëhet kancelar i ri, pas fitores së ngushtë të partisë së tij në zgjedhjet e shtatorit.

Sipas Institutit për Ekonominë Botërore, kulmi i punësimit në Gjermani ka të ngjarë të arrihet në vitin 2023 – me gati 46 milionë njerëz në punë. Pas kësaj, më shumë njerëz parashikohet të largohen nga tregu i punës, sesa të hyjnë.

Kjo do të thotë se Gjermania do të humbasë rreth 130,000 njerëz në moshë pune çdo vit, nga viti 2026 e tutje.

Tkurrja e fuqisë punëtore parashikohet të zvogëlojë edhe rritjen e mundshme të prodhimit ekonomik.

Ekspertët thonë se ky problem mund të lehtësohet me imigrim më të madh, me shërbime më të mira të kujdesit ndaj fëmijëve – për të rritur pjesëmarrjen e prindërve në tregun e punës – dhe me modele më fleksibile të orarit të punës, për t’i nxitur të moshuarit të punojnë sa më gjatë./REL/