Vështirësohet situata hidrike në Shqipëri: Prurjet e ujit në 3 hidrocentralet në kaskadën e Drinit janë minimale

Kaskada e lumit Drin

Mungesa për një kohë relativisht të gjatë e reshjeve të shiut dhe prurjet ujore në nivele minimale, kanë sjellë një situatë të vështire hidrike në 3 hidrocentralet mbi lumin Drin që prodhojnë mbi 90% të energjisë elektrike në Shqipëri.

Gjendja nuk duket aspak pozitive në Fierzë, aty ku niveli i ujit është poshtë mesatares së tij. Aktualisht, në këtë basen niveli i ujit është 270.76 metra, rreth 3 metër më pak se sa mesatarja historike e nivelit të ujit në ketë periudhë në hidrocentral. Aktualisht prurjet ne hidrocentral janë minimale, në kuotën e 35 metër/kub për sekondë, ndërsa në tetor të vitit të kaluar ishin 130 metër/kub për sekondë, transmeton TCH.

Edhe në Koman niveli është në kuotën e 170.79 metër kub ujë nga 175.5 qe është pika maksimale. Për periudhën në të cilën ndodhemi, niveli është normal por jo prurjet, të cilat vazhdojnë të jenë minimale. Drejtuesit thonë se në ditët në vazhdim pritet një përmirësim i situatës për shkak të reshjeve të shiut që parashikohen.

Reklama e sponzorizuar

Në hidrocentralin e Vaut të Dejës, aktualisht niveli i liqenit është në kuotën e 73 metrave nga 76 që është kuota maksimale. Edhe në  këtë hidrocentral prurjet janë minimale, por niveli i rezervave është i njëjti me ato të viteve të kaluara. Kjo kuotë është e përshtatshme për t’u futur në stinën e dimrit, pasi në rast shkarkimesh masive nga ky hidrocentral, përmbytja e zonës se NënShkodrës do të ishte e pashmangshme.