ZRRE: Nuk do të ketë rritje të tarifave të energjisë 

Zyra e Rregullatorit për Energji në Kosovë

Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE)ka njoftuar se gjatë seancës së djeshme, ka aprovuar të hyrat e lejuara maksimale për operatorët e shpërndarjes së energjisë, për KEDS-in, KOSTT-in dhe KESCO-n.

Të hyrat e lejuara maksimale për Furnizuesin me Shërbim Universal FSHU/KESCO janë aprovuar në vlerë prej 290.1 milionë eurove, për Operatorin e Sistemit të Transmetimit dhe Tregut/KOSTT janë aprovuar mjetet në vlerë prej 38.94 milionë euro, ndërsa për Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes/KEDS janë aprovuar mjete në vlerë prej 90.51 milionë euro. Sipas njoftimit nga ZRRE-ja, këto të hyra do t’u mundësojnë operatorëve kryerjen e funksioneve të operimit në kushte optimale.

Me këtë rast, ZRRE-ja gjithashtu ka njoftuar se këto të hyra të lejuara për këta operatorë, nuk do të ndikojnë në ngritjen e çmimeve të energjisë elektrike për konsumtaorët për këtë vit tarifor, pra 2021-n, përcjell Buletini Ekonomik.

Reklama e sponzorizuar

“Me aprovimin e këtyre të hyrave, ZRRE ndër të tjera ka marrë në konsideratë edhe rritjen e çmimeve të importit të cilat janë jashtë kontrollit të operatorëve. Megjithatë rritja e të hyrave, si rezultat i rritjes së konsumit të energjisë elektrike, ka neutralizuar kostot e përgjithshme të furnizimit me energji elektrike, prandaj të hyrat e lejuara nuk do të reflektojnë ngritje të çmimeve të energjisë elektrike për konsumatorët fundor në vitin tarifor 2021”, thuhet në njoftim.

Në anën tjetër, në këtë mbledhje është marrë edhe vendimi që t’i vazhdohet operatorit të Furnizimit KESCO, Obligimi për Furnizim me Shërbim Universal të konsumatorëve deri me 31 mars 2022.

Nga ZRRE-ja njoftojnë se në këtë seancë janë shqyrtuar edhe kërkesat, për shtyrje të afatit të Autorizimit Final për ndërtim të kapaciteteve të reja, të kompanive “AFA ENERGY” SH.P.K dhe  “2KORRIKU”SH.P. K., për të cilat Bordi i ZRRE-së ka vendosur që t’i refuzojë për shkak se kanë skaduar të gjitha afatet e parapara me Rregullën për Procedurën e Autorizimit për ndërtimin e kapaciteteve të reja të energjisë.

Bordi i këtij institucioni dje ka shqyrtuar edhe raportin e monitorimit për shitjet e energjisë elektrike nga Hidrocentrali  “Ujman” me ç ‘rast ka vendosur  që të gjeturat nga ky raport t’i dërgohen si njoftim këtij operatori dhe në seancën e ardhshme të procedohen në përputhje me ligjet dhe Rregullën për masa dhe gjoba administrative.

“Janë shqyrtuar po ashtu edhe disa ankesa të konsumatorëve si dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me menaxhimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji”, përfundojnë nga ZRRE. /Buletini Ekonomik/