KOSTT: 3 milionë euro janë paguar për energjinë e shpenzuar në veri vetëm për gjysmën e parë të nëntorit

Në mbledhjen e sotme të Komsionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti është diskutuar edhe për pagesën e energjisë elektrike për pjesën veriore të Kosovës me Bordin dhe përfaqësues të menaxhmentit të KOSTT-it.

Kryesuesi i Bordit të KOSTT-it, Jeton Mehmeti, ka raportuar para anëtarëve të Kosmisionit, duke treguar se vetëm për muajin shtator, ata kanë paguar 2 milionë euro për energjinë e shpenzuar në veri, në tetor 5 milionë euro dhe 3 milionë tjera vetëm deri në pjesën e parë të muajit nëntor.

Sipas Mehmetit, nga data 16 nëntor KOSTT nuk ka ndarë më mjete për këtë rajon dhe ka filluar me devijime të cilat nuk bien në sy, duke kërkuar nga Qeveria reflektim për këtë çështje. Ai tha se në aspektin financiar, ata si KOSTT i kanë dërguar tashmë shkresë Qeverisë, ku thotë se kanë shprehur shqetësimin për gjendjen financiare.

Reklama e sponzorizuar

Ndërkohë, Pal Lekaj nga AAK-ja, ka thënë se ka informacione që KOSTT do të bëjë edhe një pagesë mbi 6 milionë euro për rrymën që kanë shpenzuar qytetarët në veri. Sipas tij, kjo pagesë është jashtë asaj të 11 milionë eurove që KOSTT ishte autorizuar më herët të bëjë.

“Kemi informacione se ju do të bëni pagesë edhe 6 milionë euro tjera, përveç atyre 11 milionëve që keni autorizim. Ne jemi të shqetësuar për veprimet që po behën dhe po paguhet për të papërgjegjshmit në veri”, deklaroi ai.

Lekaj tha tutje se nuk duhet të bëhen pagesa për rrymën në veri pa vendim të ZRRE-së, duke thënë se po bëhet diskriminim për qytetarët që po iu shkëputet rryma. (M.SH) /Buletini Ekonomik/