ATK reagon ndaj artikullit të Buletinit rreth monopolit në tregun e arkave fiskale

Administrata Tatimore e Kosovës

Administata Tatimore e Kosovës (ATK) ka reaguar ndaj artikullit të Buletinit Ekonomik “Pas 10 vitesh monopol, ATK lejon konkurrencën në tregun e arkave fiskale”.

Reagimi i plotë i ATK-së:

Sqarim për Buletinin Ekonomik

Reklama e sponzorizuar

 Prishtinë, 2 nëntor 2021

Bazuar në shkrimin e publikuar nga ana e mediumit tuaj: http://buletiniekonomik.com/2021/11/01/pas-10-vitesh-monopol-atk-lejon-konkurrencen-ne-tregun-e-arkave-fiskale/ konsiderojmë se është tejet e nevojshme që të ju njoftojmë se mundësia për të qenë Operator Ekonomik për furnizim, instalim dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale / Sistemeve Fiskale (PEF/SF), ka qenë e vazhdueshme dhe është e hapur për të gjitha kompanitë e interesuara. Kjo mundësi ju është dhënë me secilin Udhëzim Administrativë që kanë qenë në fuqi duke filluar nga:

  • UDHËZIMI ADMINISTRATIV Nr. 15 /2010 PËR ZBATIMIN E LIGJIT NR. 03/L-222 MBI ADMINISTRATËN TATIMORE DHE PROCEDURAT;
  • UDHËZIMI ADMINISTRATIV MF-NR. 01/2015 PËR SHFRYTËZIMIN E PAJISJEVE ELEKTRONIKE DHE SISTEMEVE FISKALE;
  • UDHËZIM ADMINISTRATIV MF-NR. 02/2018 PËR SHFRYTËZIMIN E PAJISJEVE ELEKTRONIKE DHE SISTEMEVE FISKALE.

Sa i përket njoftimit që është publikuar në web faqe të ATK-së, ju informojmë se ky ka qenë vetëm si ri njoftim ku ri njoftohen të gjitha kompanitë e interesuara, se mund të aplikojnë që të bëhen Operator të autorizuar të PEF/SF, për një apo më shumë modele specifike, në çdo kohë sipas kritereve të publikuara nga ATK, për Autorizim si Operator Ekonomik me të drejtë shitje, instalimi dhe mirëmbajtje të PEF/SF. Pra ky njoftim është vetëm një vazhdimësi/përsëritje e asaj që është përcjellë tek Tatimpaguesit në çdo takim kur ka qenë temë ‘Procesi Fiskal”, pra nuk është risi, gjë qe keni mundur të vëreni edhe ne njoftimin e ATK-së ku potencohet se Ri-njofton te gjitha bizneset për mundësin e autorizimit për te qenë OE për shitje, instalim dhe servisim të PEF/SF.

Besojmë se është në interes të ju informojmë se gjatë vitit 2015 dhe 2016 kemi pasur shtatë (7) kompani të interesuara për të qenë Operator Ekonomik për furnizim, instalim dhe mirëmbajtje të Pajisjeve Elektronike Fiskale / Sistemeve Fiskale (PEF/SF), ku tri(3) nga këto kompani nuk kanë përmbushur kushtet bazë, dy(2) të tjera kanë qenë të autorizuara mirëpo nuk kanë arritur t’i certifikojnë Pajisjet Elektronike Fiskale për t’i plasuar në treg, si dhe dy(2) kompani janë Autorizuar dhe janë në treg edhe sot.

Pra, mundësia për të qenë Operator Ekonomik ka qenë dhe është e hapur për të gjithë pa përjashtim. Konkurrencën, ATK as nuk e lejon dhe as nuk e ndalon, por Ligji është ai i cili i rregullon të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me tregun e lirë.

Andaj, ju lusim që të bëni përmirësimin e shkrimit tuaj, pasi që mund te krijoni opinion të pavërtetë për publikun, bizneset dhe palët tjera. Presim një përgjigje nga ana juaj, në rast se nuk do të plotësoni shkrimin me sqarimin që ju dhamë, ne jemi të shtyrë që të reagojmë publikisht ndaj shkrimit tuaj.

 

Sqarimi i redaksisë:

Buletini Ekonomik qëndron prapa artikullit dhe konstatimeve që dalin mbi monopolin 10 vjeçar në tregun e arkave fiskale. Hulumtimi zbardhë monopolin 10-vjeçar, ku 2 prej kompanive të licencuara në ATK për arka fiskale, kanë pronar të njëjtë, kurse një e tretë shfrytëzon zyret e njëjta me një kompani konkurrente në treg. Krejt kjo nën dijeninë e Administratës Tatimore të Kosovës. Buletini Ekonomik i ka trajtuar me profesionalizëm të gjitha palët, përfshirë edhe ATK-në për çka si dëshmi janë edhe komunikimet elektronike.

Më poshtë mund të gjeni edhe dy artikujt e Buletinit Ekonomik:

http://buletiniekonomik.com/2021/10/20/monopoli-ne-tregun-e-arkave-fiskale-me-vulen-e-atk-se/

http://buletiniekonomik.com/2021/11/01/pas-10-vitesh-monopol-atk-lejon-konkurrencen-ne-tregun-e-arkave-fiskale/