Komisioni Europian njoftoi të premten se ka akorduar pjesën e dytë të ndihmës makrofinanciare prej 180 milionë eurosh akorduar Shqipërisë, si pjesë e një pakete prej 3 miliard eurosh që BE-ja vuri në dispozicion për partnerët e zgjerimit dhe fqinjësisë, për t’i mbështetur ata të kufizojnë pasojat e pandemisë Covid 19.
Pagesa e parë prej 90 milionë eurosh për Shqipërinë në kuadër të këtij programi, u krye në mars 2021. Sipas njoftimit “Shqipëria ka përmbushur kushtet e vendosura për dhënien e kësaj pagese të dytë dhe të fundit prej 90 milionë eurosh. Këtu përfshihen masa të rëndësishme për forcimin e financave publike dhe qëndrueshmërinë e sektorit financiar, përmirësimin e qeverisjes dhe luftën kundër korrupsionit, si dhe rritjen e mbrojtjes sociale. Shqipëria – vijon më tej njoftimi – vazhdon të përmbushë parakushtet për dhënien e ndihmës makro-financiare, për sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut dhe mekanizmave efektivë demokratikë, duke përfshirë një sistem parlamentar shumëpartiak dhe shtetin e së drejtës”.
Paolo Gentiloni, Komisioneri europian për Ekonominë, u shpreh se ndihet “shumë i kënaqur që shoh këto fonde të shkojnë sot në Shqipëri. Ky disbursim është një demonstrim i solidaritetit të BE-së me popullin shqiptar, por edhe i angazhimit të Shqipërisë për të përmbushur agjendën e rëndësishme të reformave të rënë dakord me Komisionin Evropian.”
Nga ana e tij, ambasadori i BE-së në Shqipëri Luigi Soreca e përgëzoi Shqipërinë “për përmbushjen me sukses të kushteve për Asistencën Makro-Financiare të BE-së për një program mbështetjeje prej 180 milionë eurosh. BE-ja mbështet qeverisjen ekonomike për rimëkëmbjen ekonomike. Ne e inkurajojmë Shqipërinë të ruajë besueshmërinë dhe llogaridhënien e saj ndaj institucioneve të BE-së dhe të çojë përpara zbatimin e reformave që janë thelbësore për qytetarët shqiptarë.”/VOA/