Në një përgjigje nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, bëjnë të ditur se këtë vit janë pranuar 25684 aplikacione.
Pra, këtë vit ka 3599 më pak aplikime sesa në 2020-ën.
“Vitin e kaluar në kuadër të Programit të Pagesave Direkte për vitin 2020, gjithsejtë kanë qenë 29283 aplikacione nga të gjitha Komunat e Kosovës“, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Për sektorët, të cilët do të mbështeten përmes këtij programi, MBPZhR-ja ka ndarë një buxhet prej 21 milionë eurove.
Në programin e sivjetmë, Ministria e Bujqësisë ka paraparë subvencione për grurë, për farë gruri, për misër, për elb, thekër, tërshërë, për luledielli, për lopë dhe buallica qumështore, për dele dhe dhi qumështore, për bletë, pula vojse, thëllëza, për dosa për riprodhim, për qumësht sipas kategorive të cilësisë, për therjet e raportuara të gjedhit, për sektorin e akuakulturës, për viça për majmëri.
Po ashtu, sivjet do të ketë pagesa direkte për vreshtat ekzistuese, për verën e prodhuar dhe të deklaruar zyrtarisht, pagesa direkte për pemishtet ekzistuese, për sasinë e dorëzuar/ shitur të frutave te mjedrës, për prodhimtarinë e materialit fidanor të pemëve drufrutore dhe hardhisë se rrushit, për sipërfaqet e mbjella me perime, për prodhimtarinë organike, për bimët mjekësore dhe aromatike.
Në kuadër të këtij programi, sivjet do të ketë edhe pagesa direkte për primin e sigurimit bujqësor për kulturën bujqësore të mjedrës, mollës, kumbullës, rrushit, dredhëzës, specit dhe arrës, si dhe primin e sigurimit bujqësor tradicional për kulturën bujqësore të mollës – pemishtet intensive, kulturën e specit – kultivimi intensiv dhe rrushin e verës./ indeksonline