Borxhet e rrymës: Kishnicës iu ndal energjia tri ditë, Trepçës i shtyhet ultimatumi

Që nga e premtja, për tri ditë, në flotacionin e Kishnicës në Graçanicë u ndal rryma. Arsye ishte mospagesa e borxhit që kjo njësi biznesore ia ka KESCO-s.

Energjia elektrike u rikthye sërish të hënën në mesditë, pasi u bë një pagesë e vogël në krahasim me 400 mijë euro borxh sa janë gjithsej.

Drejtori i Njësisë Biznesore Kishnicë-Artanë, Bislim Fetahu, tha se menaxhmenti pagoi një shumë prej 10 mijë eurove ndaj KESCO-s, që të lëshohet përsëri rryma, si marrëveshje e përkohshme.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe nga Kishnica, rryma nuk u ndërpre në Trepçë, edhe pse pati ultimatum deri të hënën. Për këtë u arrit një marrëveshje e re afatizimi. Konfirmimin e bëri edhe vetë kryeshefi Enis Abdurrahmani, që nuk dha detaje.

Por Klani merr vesh se Trepça duhet ta paguajë shumicën e borxhit prej 4.9 milionë eurove deri në fund të janarit.

Qeveria ende nuk ka treguar saktë se si do ta nxjerrë Trepçën nga kjo krizë e akumuluar. Por kryetari i Komisionit parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala, thotë se ekzekutivi e ka obligim t’i dalë në ndihmë ndërmarrjes.

Vetë ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ditë më parë pranoi në kuvend se Trepça rrezikohet nga borxhet e rrymës.

Një pjesë e Trepçës ka sistem të parregulluar të energjisë, që i bie se blen rrymë me çmim të tregut, i cili aktualisht është pesëfishuar si pasojë e krizës energjetike.