ICGB, ndërmarrja që është duke zhvilluar projektin e ndërlidhjes së tubacioneve ndërmjet Greqisë dhe Bullgarisë, ka informuar se ka pranuar leje 35-vjeçare për transmetim të gazit natyror nga autoriteti rregullues në Bullgari.
Ndërmarrja ka thënë se ka pranuar leje të ngjashme edhe për operim në territorin e Greqisë, por me jetëgjatësi 50 vjeçare.
ICGB gjithashtu ka informuar se ndërtimi i tubacionit Greqi-Bullgari është duke u zhvilluar në drejtimin e duhur, ndërsa rreth 96% të aktiviteteve të saldimit kanë përfunduar.
‘Mbi 145 kilometra të shtegur 182 kilometërsh tashmë janë gati dhe të vendosura në shteg’, ka thënë kompania.
Marrja e kësaj leje të transmetimit të gazit natyror është hap i nevojshëm para fillimit të procedurës së certifikimit të kompanisë si operator i pavarur i transmetimit të gazit natyror – proces ky që përfundon me miratimin nga autoritetet rregulluese kombëtare në Bullgari dhe Greqi dhe në Komisionin Evropian, ka sqaruar ICGB.
Gazsjellësi 220 milion eurosh do të ndërlidhë sistemin e transmetimit të gazit në zonën e Komotini në Greqi me sistemin bullgar të transmetimit të gazit në zonën e Stara Zagora.
Kapaciteti i projektuar i gazsjellësit të ri është 3 miliard metër kub në vit në drejtimin Greqi-Bullgari. Varësisht nga kërkesat e tregut dhe kapacitetet e sistemeve fqinje të transmetimit të gazit, kapaciteti i gazsjellësit mund të rritet në 5 miliard metër kub në vit./kosovo.energy/