Një grup aktivistësh në Evropë që merren me riparimin e pajisjeve, po kërkojnë zgjerim të së drejtës për riparim, gjë që sipas tyre nuk garantohet nga ligjet aktuale. Ata propozojnë miratimin e një versioni më të gjerë të të ashtuajturit “indeksi i riparimit”, i ngjashëm me atë të miratuar për herë të parë në Francë, i cili të shtrihet në të Bashkimit Evropian. Aktivistët thonë se ligji do të ndihmonte njerëzit të kursenin dhe do të siguronte mbrojtje të mjedisit.
Vullnetarët në një qendër riparimi në kryeqytetin danez të Kopenhagës po riparojnë pajisjet elektronike me difekte.
“Ne duhet të kujdesemi për planetin. Ne nuk mund të jetojmë siç kemi jetuar deri tani, kështu që duhet të krijojmë një lëvizje për të mos i hedhur gjërat, që ende funksionojnë”, thotë kryetari i ogranizatës jofitimprurëse “Repair Cafe Denmark”, Stig Bomholt.
Riparimi i pajsjeve nuk është një koncept i ri, por mes një vërshimi pajisjesh elektronike komplekse, ai po rishpiket për epokën moderne.
E themeluar gati gjashtë vjet më parë, organizata jofitimprurëse “Repair Cafe Denmark” organizon deri në 15 ngjarje javore në të gjithë vendin skandinav, ku banorët sjellin mallra elektronike dhe i riparojnë ato falas në praninë e tyre.
Disa njerëz i sjellin pajisjet sepse nuk kanë mundësi t’i zëvendësojnë. Të tjerë kanë një lidhje emocionale me ato. Por shumica e tyre janë të motivuar nga dëshira për të reduktuar sasinë e mbetjeve elektronike në kontinentin evropian.
“Të gjithë po flasin për këtë. Problemi është se politikanët po flasin për veprime që mund të merren në vitin 2030 ose më vonë, por ne po e bëjmë këtë tani”, thotë Stig Bomholt.
Ann Lisbeth Dam solli radion e saj dixhitale, të prishur, në qendrën e riparimit në Kopenhagë. Pajisja e blerë katër vite më parë ishte një dhuratë nga vajza e saj dhe ajo nuk donte ta hidhte në koshin e mbeturinave.
“Nuk doja ta zëvendësoja me një të re sepse ajo kishte një problem kaq të vogël”, thotë ajo.
Çdo vit, evropianët prodhojnë më shumë se 16 kilogramë mbetje elektronike për kokë banori.
Rreth gjysma e atyre mbeturinave janë pajisje shtëpiake të prishura dhe BE-ja riciklon rreth 40 për qind të tyre, duke lënë pas sasi të mëdha materialesh potencialisht të rrezikshme.
Suedia ka shkuar më tej se pjesa më e madhe e BE-së, duke ulur taksën mbi vlerën e shtuar për riparimet dhe pjesët e këmbimit.
“Sa i përket produkteve elektronike, një pjesë e madhe e çlirimit të karbonit në atmosferë tashmë ka ndodhur gjatë prodhimit të tyre. Pra, kjo nuk ka të bëjë me mënyrën se si i përdorim telofonat, por me mënyrën se si prodhohen ata dhe mënyrën se si nxirren nga minierat materialet për për prodhimin e tyre”, thotë Jessika Luther Richter, një studiuese në Universitetin e Lundit dhe anëtare e bordit në një qendër riparimi në qytetin jugor suedez të Malmos.
Në fillim të këtij viti, Bashkimi Evropian njoftoi rregulla të reja për t’u siguruar që frigoriferët, lavatriçet, tharëset e flokëve dhe televizorët të mund të riparohen deri në dhjetë vjet pas prodhimit të tyre.
Sipas rregullave të reja, prodhuesit do të duhet të sigurojnë që pjesët e këtyre produkteve të jenë të disponueshme deri në një dekadë.
Pajisjet e reja gjithashtu do të duhet të vijnë me manuale riparimi dhe të të mund të çmontohen me mjete konvencionale.
Ambientalistët dhe grupet e të drejtave të konsumatorëve duan që “e drejta për riparim” të zgjerohet, duke përfshirë edhe telefonat inteligjentë, laptopët dhe pajisjet e tjera të vogla elektronike.
“Kemi të gjitha këto pengesa që në fazën e projektimit”, thotë Chloe Mikolajczak nga lëvizja “E drejta për të Riparuar”, e cila bashkëpunon me 80 organizata të ngjashme në 17 vende evropiane.
Kjo organizatë dëshiron që Bashkimi Evropian të miratojë një “indeks të riparueshmërisë” si ai i prezantuar në Francë në fillim të këtij viti.
Ideja është që t’u jepet konsumatorëve informacion i qartë dhe i lehtë për riparimin e pajisjeve.
Natyrisht, qendrat e vogla të riparimit të pajisjeve në Evropë kanë shumë punë për të bërë në trajtimin eproblemit të madh të mbetjeve eloktronike në këtë kontinent. Por, ata shpresojnë që me punën e tyre të përhapin idenë e riparimit të pajisjeve tek të tjerët.