Në vazhdën e rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore në Kosovë, muajve të fundit është vërejtur edhe një rritje enorme e çmimeve të inpuiteve bujqësore. Madje, farërat, vajrat dhe plehrat e ndryshme, që hyjnë në grupin e Inputeve 1, patën një rritje për 21.6% në tremujorin e tretë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëtë të vitit 2020.
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar raportin për “Indeksin e Çmimeve të Inputeve dhe Çmimet në Bujqësi për TM3 2021”, në të cilin konstatohet se Indeksi i përgjithshëm i inputeve (Input 1+Input 2) ka një rritje për 14.8%, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2020.
Ndërkohë, çmimet e mallrave dhe shërbimeve që kontribuojnë në bujqësi, e që klasifikohen si Input 2, kanë pasur gjithashtu një rritje për 7.8% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2020.
Prodhimet që krijojnë bazë për Indeksin e Çmimeve të inputeve janë të ndara në dy grupe kryesore: në Mallrat dhe shërbimet aktualisht të konsumuara në bujqësi (Input 1) dhe Mallrat dhe shërbimet që kontribuojnë në investimet në bujqësi (Input 2). Brenda grupit Input 1, çmimet grumbullohen sipas grupeve në vijim: farëra dhe material mbëltues, energji, vajra, plehra dhe përmirësues të tokës, produkte për mbrojtjen e bimëve dhe pesticide, shpenzime për veterinari, lëndë për ushqimin e kafshëve, mirëmbajtje e materialeve, mirëmbajtje e ndërtesave, si dhe mallra dhe shërbime të tjera, kurse sa i përket Input 2, çmimet grumbullohen për materiale (makineri dhe pajisje të tjera), ndërtesa të tjera (ndërtesat jo-rezidente të fermës, punë të tjera, përveç përmirësimit të tokës).
Ky raport i ASK-së është bazuar në çmimet e inputeve bujqësore të grumbulluara në Kosovë, nëpër barnatoret bujqësore, farmacitë veterinare, në kompani, tregje dhe vende të tjera, ku çmimet e inputeve bujqësore janë në dispozicion. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/