Për rritjen e sivjetshme ekonomike në Kosovë pati parashikime të ndryshme. Më optimisti, gjithsesi, ishte parashikimi i kreut të Bankës Qëndrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti.
Guvernatori i BQK-së e ripërsëriti edhe këto ditë në një intervistë parashikimin e tij se rritja ekonomike në Kosovë këtë vit do të jetë 9.9%, duke sqaruar se në këtë rritje kanë ndikuar rritja e konsumit publik, rritja e shpenzimeve publike dhe indikator të tjerë.
Parashikime optimiste kanë bërë edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore. E para ka paraparë që kjo rritje të jetë përtej 7 përqindëshit, ndërsa BB-ja diku afër 7 përqindshit. Pra, rritje ekonomike, nga cilido nga këto parashikime është goxha e lartë dhe është me rëndësi që do të ndodhë kjo rritje.
Por, çka ka ndikuar realisht në rritjen e sivjetshme ekonomike të Kosovës?
Sipas vlerësimeve të Guvernatorit Mehmeti, në këtë rritje ekonomike kanë ndikuar rritja e konsumit publik, rritja e shpenzimeve publike dhe indikator të tjerë.
Ndërkaq sipas vlerësimeve të Bankës Botërore rritja ekonomike në Kosovë është nxitur kryesisht nga rikuperimi më i fortë se sa pritej në numrin e vizitorëve nga diaspora (1 miliard euro është prurja e sivjetshme e mërgatës kosovare në vendlindje), nga rikthimi i besimit të konsumatorit dhe rritjes së nivelit të kredive konsumatore.
“Ekonomia e Kosovës po rimëkëmbet me hapa të shpejtë nga pandemia COVID-19, dhe deri në fund të vitit 2021 pritet që prodhimi i brendshëm bruto të tejkalojë nivelin e vitit 2019, megjithatë rreziqet për perspektivën mbeten të larta pasi vendi vijon përpjekjet në luftën kundër pandemisë”, thuhet në raportin e BB-së./Buletini Ekonomik/