FMN: Rritja e inflacionit në Kosovë do të vazhdojë deri në mesin e vitit 2022

Gabriel Di Bella, shef i misionit të Fondit Ndërkombëtar për Kosovën ka kërkuar që në buxhetin e ri të vitit 2022 të ketë ndarje buxhetore për ekonomitë familjare, shkollat dhe për zgjerimin e infrastrukturës shëndetësore në Kosovë.

Duke folur për rritjen e remitancave prej 40 përqind gjatë këtij viti, ai ka shtuar se këto të hyra duhet të shfrytëzohen për mbulimin e zbrazëtirave të infrastrukturës socio-ekonomike.

Në një konferencë të FMN-së në Kosovë, Gabriel Di Bella tha se në Kosovë inflacioni është rritur dhe se kjo do të përfundojë me 5% rritje. Ndërsa për bruto-prodhimin vendor tha se presin të rritet deri në 4 përqind.

 

Reklama e sponzorizuar

“Lëvizja e çmimeve në naftë ka ndikuar shumë, por edhe ndikimi i rritjes së çmimeve së ushqimeve ka pasur ndikim të madh. Dhe në gjysmën e parë të vitit 2021 kemi parë një përshpejtim të rritjes së çmimeve të energjisë në Evropë. Por, në Kosovë ka qenë paksa i izoluar nga kjo rritje. Megjithatë, disa kompani kanë pësuar nga kjo rritje e çmimeve për shkak të lidhjes së tyre me çmimet rajonale dhe ndërkombëtare të energjisë elektrike. Ajo që presim sa i përket inflacionit është që të vazhdojë një rritje deri diku mesi i vitit 2022. Pastaj të zbutet gradualisht më pas”, ka thënë ai.

“Mendojmë që buxheti duhet të jetë më në favor të rritjes. Mendojmë që të ardhurat e papritura të diasporës duhet të shfrytëzohen për të mbledhur zbrazëtirat e infrastrukturës sociale-ekonomike dhe për diversifikuar motorët e rritjes. Ndonëse, forca e rimëkëmbjes së vazhdueshme në vitin 2022 sugjeron që politika fiskale duhet t’i kthehet rregullit fiskal, vitin e ardhshëm ajo që ne kemi këshilluar është që në buxhet duhet të paraqitet një ndarje për shpenzime emergjente në rast se virusi rikthehet”, shtoi Di Bella.

Derisa ka folur për rritjen e remitancave gjatë këtij vitit, Di Bella tha se turizmi ka shënuar rritje prej 15 përqind.

“Pas një tkurrjeje rreth 5 për qind viteve të kaluara, bruto-prodhimi vendor real në Kosovë parashikohet të rritet nga 7-8 për qind këtë vit kryesisht për shkak të lëvizshmërisë së ripërtrirë dhe mbështetjes së jashtëzakonshme nga diaspora. Ne veçanti kur e shohim diasporën dhe kur e krahasojmë atë me nivelet e parapandemisë, remitancat gjatë gushtit këtë vit janë rritur për rreth 40 për qind dhe turizmi me rreth 50 për qind. Krahas kësaj, programi i suksesshëm qeveritar i vaksinimit ka kontribuuar në fitimet e lëvizshmërisë dhe mobilitetit. Kosova ka pasur shkallën më të lartë të vaksinimit në tërë Ballkanin Perëndimor në tetor dhe rekomandohet që të vazhdohet ky program më vitin 2022 financuar nëpërmjet një alokimi buxhetor për të siguruar vaksina shtesë për ta rritur mbulueshmërinë”, deklaroi Di Bella.

Di Bella ka listuar edhe disa rekomandime sa i përket buxhetit në favor të rritjes.

“Të gjitha transferet e reja sociale duhet të projektohen mirë, të jenë të targetuara dhe transparente. Buxheti për vitin 2022 përfshin programe të reja për shtesat për fëmijë, për nënat e papuna dhe një alokim apo ndarje të përgjithshme për rreth 1,6 për qind të bruto-prodhimit vendor për subvencione dhe transfere. Por, ajo çfarë themi ne është se buxheti duhet të qartësojë se cili është dizajni i këtyre masave dhe ky transferi i përgjithshëm të tregohet se për çfarë qëllimi do të përdoret gjatë vitit të ardhshëm”, shtoi Di Bella.

 

Në këtë konferencë, Gabriel Di Bella gjithashtu ka rekomanduar se sa më parë duhet të plotësohen edhe pozitat vakante në Bankën Qendrore të Kosovës, në mënyrë që të miratohet buxheti dhe të zbatohen reformat e nevojshme.

Ndërkaq, për papunësinë ai tha se ka një mospërputhje të asaj që kërkojnë kompanitë dhe asaj që studentën kosovarë studiojnë.