Kryeshefi ekzekutiv i operatorit të sistemit hungarez të transmetimit të gazit natyror – FGSZ, Szabolcs Ferencz ka thënë se ky operator po planifikon të fillojë ndërtimin e gazsjellësit me Slloveninë në vitin 2023.
Ferencz ka thënë se do të fillojë të testojë tregun, proces ky që pritet të përfundojë në vitin 2022, dhe nëse testet tregojnë se kapacitetet janë të mjaftueshme, ndërtimi i këtij gazsjellësi do të fillojë në vitin 2023.
Ferencz ka konfirmuar se dy vendet kanë bërë plan të aplikojnë për fonde nga BE për të mbuluar gjysmën e investimit në gazsjellës, që do të ketë kapacitet vjetor prej rreth 1.5 miliard metrash kub gaz.
Ai ka thënë se Hungaria ka kërkuar kapacitete më të mëdha të transmetimit, por që kjo është e pamundur për shkak të disa arsyjeve teknike në Slloveni.
Në fund të shtatorit, Hungaria ka nënshkruar marrëveshje të re për furnizim me gaz me kompaninë Gazprom nga Rusia.
Sipas marrëveshjes së re, Gazprom do të furnizojë Hungarinë me 4.5 miliard metër kub gaz në baza vjetore dhe atë përmes dy shtigjeve, 3.5 miliard përmes Serbisë dhe 1 miliard përmes Austrisë. Me marrëveshjen e re, është braktisur shtegu i mëparshëm i përdorur përmes Ukrainës.
Marrëveshja është e vlefshme për 10+5 vite, që do të thoë se pas 10 vitesh palët do të kenë mundësi të ndryshojnë sasitë e blerjes së gazit./kosovo.energy/