Buka, mishi, qumështi, vaji si dhe drutë janë disa prej produkteve që kanë shënuar rritjen më të lartë të çmimeve muajve të fundit në Kosovë. E rritja enorme e çmimeve bazike ushqimore që u shënua në muajin shtator, ka vazhduar edhe në muajin tetor, ndonëse me një ngritje dyfish të çmimeve.
Inflacioni në vend në muajin tetor 2021 arriti në 5.7 për qind nga 4.9 për qind sa ishte vetëm një muaj më herët, në shator, përcjell Buletini Ekonomik.
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar raportin mujor të “Indeksit të Harmonizuar të Çmimeve të Konsumit për muajin tetor”, në të cilin thuhet se inflacioni mujor i matur është për 1 për qind më i lartë, në krahasim me muajin paraprak.
Në krahasuim me muajin tetor të vitit të kaluar (tetor 2020), në muajin tetor të këtij viti rritjen më të madhe e kanë pësuar buka dhe drithërat të cilat u rritën për 5.7 për qind, mishi me 2.4 për qind, qumështi, djathi dhe vezët për 6.2 për qind, vajrat dhe yndyrnat ushqimore pësuan një rritje prej 27.9 për qind, kafeja, çaji dhe kakao një rritje prej 4.1 për qind, duhani një rritje për 2.8 për qind, druri dhe lëndët djegëse shënuan rritje për 8.1 për qind, kurse karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit arritën deri në 35.5 për qind.
“Bukë dhe drithëra me 5.7 për qind, mish me 2.4 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 6.2 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 27.9 për qind, kafe, çaj dhe kakao me 4.1 për qind, pije alkoolike me 4.5 për qind; duhan me 2.8 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 8.1 për qind, produkte farmaceutike me 2.3 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 35.5 për qind, shërbime për transport me 2.3 për qind dhe shërbime hoteliere me 2.7 për qind”, thuhet në raportin e ASK-së, ku bëhet krahasimi mes muajit tetor 2020 dhe tetorit 2021.
Ndërkaq, nëse i krahasojmë çmimet e tetorit 2021 me muajin shtator 2021, ka pasur një rritje të inflacionit për 1%.
Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen e çmimeve të konsumit te nëngrupet e COICOP-it në këtë periudhë, si p.sh: buka dhe drithërat u rritën për 3,9% në krahasim më shtatorin, mishi 0,4%, qumështi, djathi dhe vezët 1,7%, vajrat dhe yndyrnat ushqimore 2,9%, sheqeri, reçeli, mjalta, çokollata dhe ëmbëlsirat 2,1%, kafja, çaji dhe kakao 3,0%, gazi 5,1%, lëndët djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet etj. 5,8%, blerja e automjeteve 3,2%, karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal 6.2%, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 1,3 për qind në IHÇK-it.
Ndërsa, rënie e çmimeve në muajin tetor krahas shtatorit, është vërejtur vetëm te nëngrupet e COICOP-it si: pemët me -8,9%, dhe perimet -2,2%.
Në Kosovë, çmimet e artikujve bazikë të konsumit në muajin shtator ishin shtrenjtuar deri në pesë për qind dhe ky shtrenjtim kishte vazhduar edhe gjatë tërë muajit tetor. Çmimet më të larta deri në 30 për qind ishin vërejtur te vajrat dhe yndyrnat ushqimore.
Derisa gjatë muajit shator të vitit të kaluar, një litër vaj ushqimor kushtonte 1.06 euro, një vit më vonë, në shtator, ky produkt u shit për 1.54 euro. Po ashtu, gjatë shtatorit të vitit të kaluar, një kilogram oriz kishte kushtuar 1.38 euro, ndërsa sivjet është blerë për 1.42 euro. Ndërkohë, 30 copë vezë gjatë muajit shtator janë shitur 2.57 euro nga 1.95 euro sa kanë qenë muajve të kaluar.
Të gjitha këto rritje çmimesh vlerësohet se erdhën si pasojë e rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, ku edhe atje po raportohet për rritje të vazhdueshme dhe enorme të çmimeve.
Ndryshe, nga të dhënat e Trading Economics, të cilat i ka bërë të ditura ditëve të fundit në një raport përmbledhës, del se Kosova është vendi i dytë me normën më të lartë të rritjes së çmimeve në rajon. Në vend të parë është Serbia me një normë të inflacionit prej 5.7 për qind, ndërsa në vend të tretë është Bullgaria me një inflacion prej 4.8 për qind./Buletini Ekonomik/