Një zyrtar i rëndësishëm kinez ka paralajmëruar se stagflacioni mund të rëndojë vitin e ardhshëm mbi një ekonomi që tashmë gjendet në vështirësi.
Kjo është shenja më e fundit që qeveria mund të jetë duke menduar për marrjen e disa hapave agresivë për të adresuar ngadalësimin e rritjes, duke përfshirë uljen e parë të normës së kreditimit që nga fillimi i vitit 2020.
Liu Shijin, anëtar i komitetit të politikës monetare të Bankës Popullore të Kinës, tha në një forum online të dielën se ekonomia e dytë më e madhe në botë mund të duhet të përballet me “kuazi-stagflacionin” në pjesën tjetër të këtij viti dhe në fillimin e vitit 2022, nëse kërkesa vazhdon të ulet dhe kostoja e mallrave që dalin nga fabrikat kineze mbetet e lartë.
“Duhet të jemi të vëmendshëm, sepse nëse kjo ndodh, nuk do të ndikojë vetëm tremujorin e katërt, por do të ndikojë edhe vitin e ardhshëm”, tha Liu.
Stagflacioni – kur inflacioni është i lartë, por rritja ekonomike ngadalësohet – mund të jetë problematik pasi politikat që synojnë të frenojnë inflacionin, të tilla si normat më të larta të interesit, rrezikojnë të ngadalësojnë edhe më tej rritjen. Ndërkohë, politikat që synojnë të nxisin rritjen ekonomike, rrezikojnë të ndikojnë akoma më shumë në ngritjen e çmimeve.
Pavarësisht paralajmërimit të tij, Liu pret që ekonomia të arrijë objektivin e rritjes së Kinës prej më shumë se 6% për këtë vit.
Rreziqet për ekonominë kineze janë shtuar në muajt e fundit. Së bashku me rritjen e inflacionit të çmimeve të prodhimeve në fabrikën e botës, vendi po përballet gjithashtu me një krizë të rëndë energjie dhe një ngadalësim të madh në tregun e pasurive të paluajtshme.
Kryeministri kinez Li Keqiang kohët e fundit i pranoi këto shqetësime, duke thënë në një seminar në Pekin javën e kaluar se ekonomia po përballet me “presione të reja rënëse”. Ai përmendi shpërthimet e fundit të infektimeve me Covid-19, përmbytjet e rënda, rritjen e çmimeve të mallrave dhe mungesat e energjisë si shqetësime kryesore.
Li tha gjithashtu se politikëbërësit duhet të fokusohen në ndihmën ndaj “lojtarëve të tregut”, duke përfshirë kompanitë prodhuese dhe bizneset e vogla, duke ofruar ulje taksash ose ulje të tarifave administrative.
“Shqetësimi për ngadalësimin e rritjes po bëhet gjithnjë e më i madh midis teknokratëve në agjencitë e ndryshme qeveritare,” shkroi Larry Hu, kreu i ekonomisë së Kinës në Macquarie Group, në një raport të së dielës.
Analistët dyshojnë gjithashtu se politikëbërësit e Kinës mund të konsiderojnë uljen e normave të interesit ose marrjen e hapave të tjerë për të lehtësuar politikën monetare. Një raport tremujor i publikuar të premten nga banka qendrore hoqi frazat që më parë ishin bërë publike, për të sinjalizuar politika më të ashpra.
Heqja e këtyre frazave sugjeron një ndryshim në horizont, sipas analistëve në Goldman Sachs, Nomura dhe Citi.
“Sipas këndvështrimit tonë, këto fshirje përbëjnë një ndryshim zyrtar në qëndrimin e politikës së Bankës Popullore të Kinës dhe vendosin bazën për vendime lehtësuese monetare dhe kreditore,” shkruajnë analistët e Nomura në një raport të së dielës.
Këto ndryshime nuk po ndodhin ende. Të hënën, banka qendrore e mbajti normën e primit të kredisë – një normë bazë me të cilën bankat ngarkojnë klientët korporatë për kreditë e reja – të pandryshuar për nëntorin, muajin e 19-të me radhë.
Por analistët nga Capital Economics mendojnë se nuk do të kalojë shumë kohë deri kur banka qendrore të fillojë të ulë normat e interesit.
“Ndërsa tensionet ekonomike vazhdojnë të rriten, do të ketë më shumë presion për të lehtësuar kufizimet e financimit të huamarrësve në borxhe,” shkroi për firmën Julian Evans-Pritchard, një ekonomist kinez me shumë eksperiencë, në një raport të hënën. Ai shtoi se Capital Economics mendon se banka qendrore do të fillojë të ulë normat përpara fundit të vitit 2021, “pasuar nga akoma më shumë reduktime në 2022”.
Të tjerë presin që banka qendrore të shikojë opsione të tjera. Në vend të ndryshimit të normave të interesit, analistët e Goldman Sachs thanë se prisnin mbështetje më të targetuar për zhvillimin e gjelbër dhe për kompanitë e vogla ose të mesme./ CNN