Drejtori i Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Janez Kopac, ka thënë se përveç Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Shqipërisë, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do ta kenë të vështirë të arrijnë objektivat e përcaktuara në Agjendën e Gjelbër të Bashkimit Evropian (BE).
Komuniteti i Energjisë është organi rregullator i BE-së në fushën e energjisë.
“Mendoj se sukses do të kenë Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, sepse të dyja vendeve u mbaron qymyri, ndërsa Shqipëria sigurisht do t’ia dalë. Mirëpo, Kosova, Bosnje dhe Hercegovina dhe Serbia, nëse nuk fillojnë së shpejti me zbatimin e taksës së karbonit, nuk kanë mundësi që të arrijnë këtë qëllim deri në vitin 2050”, tha më 15 nëntor Kopac.
Ai deklaratën e bëri në një konferencë online në të cilën u prezantua raporti vjetor i monitorimit të zbatimit të rregulloreve evropiane të energjisë nga vendet nënshkruese të Traktatit të Komunitetit të Energjisë si pjesë e përpjekjeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Raporti mbulon Kosovën Shqipërinë, Bosnje dhe Hercegovinën, Maqedoninë e Veriut, Gjeorgjinë, Moldavinë, Malin e Zi, Serbinë dhe Ukrainën në periudhën nga nëntori 2020 deri në nëntor 2021.
Sekretariati i KE-së në raportin e tij ka lavdëruar Kosovën për vazhdimin e politikave që çojnë drejt përdorimit të vazhdueshëm të energjisë së pastër duke vënë theksin te shtyrja e planeve për ndërtimin e një termocentrali të ri me qymyr.
Megjithatë, raporti thotë se energjia elektrike e prodhuar nga era dhe dielli është ende në nivel të ulët në Kosovë. Kosova është pothuajse plotësisht e varur nga dy fabrika të vjetruara të linjitit për prodhimin e energjisë elektrike.
Gjithashtu aty theksohet se Kosova nuk është e lidhur me asnjë sistem të transmetimit të gazit natyror (gazsjellës).
Intensiteti energjetik i ekonomisë së Kosovës është pothuajse katër herë më i lartë se mesatarja në nivel të BE-së, thuhet në raport.
Në nëntor të vitit 2020, në një samit të mbajtur në Sofje të Bullgarisë, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar Deklaratën për Agjendën e Gjelbër përmes së cilës janë zotuar se deri në vitin 2050 të përfundojnë procesin e shfrytëzimit të qymyrit, pra ndërprerjen e prodhimit të energjisë elektrike nga qymyri dhe kalimin në burimet e rinovueshme.
Kopac tha se sfidat kryesore në tranzicionin e gjelbër të Ballkanit Perëndimor janë moszbatimi i taksave për emetimet e dioksidit të karbonit, si dhe subvencionet shtetërore për qymyrin. /REL/