Kurti: Qymyri do të jetë dominues gjatë mandatit të parë

Në emisionin ‘Context’ të ATV, kryeministri Albin Kurti ka thënë se pakoja financiare e siguruar nga MCC nuk është mundësia e fundit e Kosovës për të zhvilluar infrastrukturën e gazit. Kryeministri foli për gazin dhe shumë çështje tjera të sektorit të energjisë.

Tutje, Kryeministri theksoi se pakoja e MCC-së do të ndihmonte vetëm për 25% të shpenzimeve kapitale të projektit dhe se në kuadër të projektit parashihej ndërtimi i një termocentrali 200 megavatësh me gaz, apo vetëm një e pesta e kapaciteteve që i nevojiten Kosovës aktualisht.

“Nuk ka përfunduar kjo gjë, por duhet të jemi të kujdesshëm se çka bëhet më pastaj, dhe ajo termoelektranë që do t’a shfrytëzonte gazin për të prodhuar energji elektrike, mos të harrojm që nuk ka pasur të jetë 2000MW, por ka pasur të jetë 200MW, që është 20% apo një e pesta e asaj që na duhet neve”, tha Kryeministri Kurti.

Reklama e sponzorizuar

Ndryshe, Kryeministri Kurti përsëriti se Kosova duhet të jetë e kujdesshme për të ardhmën energjetike.

“Tash ne duhet të jemi të kujdesshëm se cfarë cmimi në fund duhet të paguajnë qytetarët, pra nuk është problemi vetëm se si të vendoset gypi Shkup – Prishtinë që e ndërtojmë ne vet, që mund ta ndërtojmë edhe ne vet më vonë me kredi sërish”, theksoi ai.

Kryeministri Kurti tha se qeveria e tij është shumë e angazhuar në sektorin e energjisë, dhe se gabimet eventuale në këtë sektor mund të jenë shumë të mëdha.

Ai tha se nuk është përmbyllur projekti i gazit, por se për momentin fondet e MCC janë orientuar më shumë tek burimet e ripërtëritshme.

“Pra, ne nuk e kemi mbyllur përgjithmonë edhe vitin e ardhshëm do mund ta bëjmë, mirëpo tash jemi të interesuar që fondet e MCC-së më shumë t’i shpiejmë tek burimet e ripërtëritshme”, tha ndër të tjera Kryeministri Kurti.

Qymyri do të vazhdoj të jetë dominues

Nëse jo gazi, burimet e ripërtëritshme nuk janë të mjaftueshme për të përmbushur kërkesën e ngarkesës bazë të Kosovës në të ardhmen e afërt, atëherë kjo mund të nënkuptojë vetëm se Kosova po zgjedh përsëri thëngjillin për një furnizim të besueshëm me energji elektrike.

Këtë e pohoi edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka thënë se Kosova në mandatin e parë të Vetëvendosjes sërish do të varet kryesisht nga thëngjilli.

Megjithatë, kryeministri Kurti tha se më shumë se gjysma e ndotjes së ajrit në Kosovë vjen nga djegia e thëngjillit në amvisëri gjatë stinës së dimrit, duke theksuar nevojën për më shumë masa të efiçencës së energjisë në Kosovë.

“Brenda mandatatit të parë tonë është e vërtet që qymyri do të ngelet edhe më tej dominues, sepse aktualisht është 95%. Mirëpo, qysh sot duhet t’a bëjmë hapin e par në mënyrë që ta zvogëlojmë këtë, duke mos harruar një gjë tejet të rëndësishme, 53% e ndotjes së ajrit në Kosovë vije nga amviseritë që djegin qymyr, që ngrohen me djegien e qymyrit, dhe ne kemi nevojë për efiçensë të energjisë”, sqaroi Kryeministri Kurti.

Vendosja e infrastrukturës së gazit për ngrohje merr kohë dhe është tejet komplekse

Rreth mundësisë që këta banorë potencialisht do të mund të ngrohen me gaz, në rast se qeveria do të vendoste të ecte përpara me projektin e gazit, Kurti theksoi se infrastruktura për të mundësuar një gjë të tillë është tejet komplekse dhe do të ketë nevojë për kohë.

Ai madje tërhoqi paralele me rrjetin e Termokosit, zgjerimi i të cilit po përballet me vështirësi të mëdha.

“A e din cfarë infrastrukture duhet për t’a futur gazin nëpër shtëpi, ju po shihni se cfarë problemi po kemi me Termokos. Pra, me rrjetin e Termokosit kemi kokëcarje pa fund, leremo me pru edhe gazin”, tha ai.

Ndotja e ajrit shkaktohet më së shumti nga konsumatorët që përdorin qymyrin për ngrohje në dimër

“Por nëse do të kishim, ta zëmë, efiçensë të energjisë si projekt shumë të madh kombëtar, për të cilin unë besoj se mund të marrim ndihma nga Bashkimi Evropian, atëherë do ta mund ta zgovëlonim sa më shpejtë dhe sigurtë këtë ndotjen e ajrit, që edhe një herë po e theksoj vjen nga termoelektranat, vjen nga transporti, pra nga trafiku e automobilet, por më së shumti paradoksalisht është për shkak të varfërisë së qytetarëve të cilët vazhdojnë të djegin qymyr për t’u ngrohur në dimër”, theksoi ai.

Ndërkaq, kur u pyet për çështjen e liqenit të Ujmanit, liqen i cili ishte paraparë të bashkë menagjohej sipas marrëveshjes së nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë në shtator të vitit 2020, kryeministri Kurti shpjegoi se qeveria e Kosovës do të shfrytëzojë studimin e fizibilitetit të kryer nga qeveria amerikane për të mbrojtur më tej asetin e Kosovës që është liqeni i Ujmanit.

“Atë studimin e fizibilitetit ne do ta përdorim në vullnetin tonë të mirë për ta mbrojtur Ujmanin, i cili është liqe e pasuri e Kosovës, duke mos qenë liqe natyror”, tha ai./kosovo.energy/