Kush janë kandidatët për anëtarë të Bordit të BQK-së që pritet të votohen nga Kuvendi i Kosovës?

Banka Qendrore e Kosovës

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere në fillim të këtij muaji i ka përcjell Kuvendit emrat e kandidatëve për anëtarë jo-ekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Në listën e parë për plotësimin e pozitës për një anëtar jo-ekzekutiv të Bordit të BQK-së janë Bashkim Nurboja, Bedri Peci, But Dedaj, Kosovare Ukshini dhe Mimoza Mustafa.

Reklama e sponzorizuar

Votimi për këta anëtarë do të bëhet me votim të fshehtë në seancën plenare të radhës të Kuvendit të Kosovës, shkruan Telegrafi.

Po, kush janë pesë kandidatët e parë që pritet ta plotësojnë një vend si anëtar jo-ekzekutiv.

Bashkim Nurboja është doktor i shkencave ekonomike, të kryer në Universitetin e Lubjanës në Slloveni.

Nurboja është i lindur në Pejë.

Ai në vitin 2014, ka qenë edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e përgjithshme, kurse në zgjedhjet e vitit 2019 po ka qenë kandidat Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Pejës.

Kosovare Ukshini mban titullin doktor e shkencave ekonomike, të kryer në Universitetin e Evropës Juglindor të Maqedonisë së Veriut.

Ukshini ka lindur në Gjakovë.

Ajo është profesoreshë e ndërmarrësisë dhe ligjëruese e menaxhimit.

Bedri Peci ka doktoruar në shkencat juridike, të kryer në Universitetin e Grazit në Austri.

Peci është u lindur në Mitrovicë. Ai ka qenë kryesues i Bordit të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës nga viti 2014 deri 2018.

Mimoza Mustafa është kandidate për doktoraturë në Universitetin e Lubjanës në Slloveni. Ajo ka magjistruar në financa pranë Cass Business School në Londër të Britanisë së Madhe.

Mustafa për tetë vite ka punuar si ekonomiste e lartë në Bankën Qendrore të Kosovës, në Departamentin e Stabilitetit Financiar dhe Analizës Ekonomike.

Që nga viti 2006 është profesoreshë në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK) në lëndën e Matematikës dhe Statistikës.

But Dedaj mban titullin doktor i shkencave ekonomike, të kryer në Universitetin e Prishtinës. Dedaj është i lindur në Klinë.

Aktualisht është profesor asistent në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. Dedaj gjithashtu ka qenë dekan i këtij fakulteti.

Kujtojmë se ka më shumë se një vit që BQK-ja ka mbetur pa Bord funksional në mungesë të kuorumit. Banka Qendrore e Kosovës për këto pozita kishte shpallur dy konkurse.