Banka Qendrore Evropiane (BQE) nuk do të orientohet drejt politikës monetare më të shtrënguar për të kundërshtuar indikacionet që tregojnë se çmimet po rriten, deklaroi sot presidentja e BQE-së Christine Lagarde nga selia e bankës, në Frankfurt.
Ndërsa BQE-ja po i kushtonte një vëmendje shumë të madhe çmimeve në rritje në zona të caktuara, askush nuk e kishte menduar se ajo do të ndërmerrte veprime të shpejtuara pa një shqyrtim të kujdesshëm”, tha Lagarde gjatë Kongresit Bankar Evropian që transmetohej online.
“Veçanërisht, ne nuk duhet të nxitojmë drejt një shtrëngimi të parakohshëm kur përballemi me goditje inflacioni kalimtare ose të nxitura nga oferta”, tha Lagard, duke shprehur mendimin se pjesa më e madhe e inflacionit aktual ishte shkaktuar nga efekte të përkohshme.
Duke vënë në dukje rritjen e çmimeve të energjisë dhe vonesat e furnizimit, Lagarde tha se, “ky inflacion është i padëshiruar dhe i dhimbshëm, dhe natyrisht që ka shqetësime mbi kohëzgjatjen e tyre. Ne i marrim këto shqetësime shumë seriozisht dhe i monitorojmë me shumë kujdes këto zhvillime”.
Lagard shprehu shqetësimin për efektet e rritjes së normave të interesit të bankës te konsumatori.
“Në një kohë kur fuqia blerëse po shtrëngohet nga faturat e larta të energjisë dhe karburantit, një shtrëngim i panevojshëm do të përfaqësonte një erë të kundërt të pajustifikuar për rimëkëmbjen”, shtoi ajo./atsh/