Një raport i ri i Komisionit Evropian ka treguar se, për herë të parë, burimet e ripërtëritshme të energjisë kanë kaluar karburantet fosile si burim kryesor energjie në Bashkimin Evropian, përcjell Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Raportet e Gjendjes së Bashkimit Evropian për vitin 2021 tregojnë se burimet e ripërtëritshme prodhojnë 38 për qind të energjisë elektrike në BE, krahasuar me 37 për qind për lëndët djegëse fosile.
Raporti vjen ndërsa shtetet anëtare të BE-së luftojnë për të mbrojtur qytetarët dhe biznesin e cenueshëm nga rritja e çmimeve të energjisë, transmeton Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Një takim në Luksemburg, sot, dështoi të arrijë një marrëveshje mbi masat afatgjata për të trajtuar rritjen e çmimeve të energjisë elektrike dhe gazit, pavarësisht se Spanja, Greqia dhe Franca po nxisin për reforma të tregut.
KE tha se rritja e çmimit të energjisë është e përkohshme, por kostot spirale theksojnë pavarësinë e BE-së në importet e energjisë, që janë në nivelin më të lartë në 30 vjet.
Duke shpallur raportin, KE sqaroi se, ndërkohë që progresi në një numër tendencash klimatike është inkurajues, “përpjekje më të mëdha do të kërkohen për të arritur objektivin e vitit 2030 për uljen e emetimeve neto me të paktën 55 për qind dhe arritjen e neutralitetit klimatik deri në vitin 2050”, përcjell Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Përveç raportimit për një rënie në subvencionet e karburanteve fosile dhe një rritje në mbështetjen e energjisë së rinovueshme, raporti zbuloi se emetimet e gazrave serrë nga 27 shtetet anëtare të BE-së në vitin 2020 ranë me pothuajse 10 për qind, e krahasuar me 2019-n, duke reflektuar ndikimin e pandemisë së COVID-19.