Lojërat shpërblyese në Kosovë jashtë çdo mbikëqyrjeje institucionale

Fotografi ilustruese

Organizimet e lojërave të ndryshme shpërblyese në Kosovë nga bizneset private nuk janë duke u mbikëqyrur nga asnjë institucion shtetëror. Rrjedhimisht, nuk ka asnjë bazë apo dispozitë ligjore në fuqi që e rregullon funksionimin e lojërave shpërblyese në vend.

Pothuajse çdo ditë, ne shohim organizime të këtyre lojërave nga bizneset private, të cilat “ofrojnë” për konsumatorët e tyre vetura, banesa, para kesh, pushime luksoze, produkte të ndryshme elektrike e shumë të tjera. Mirëpo, në asnjërin rast nuk dihet nëse të njëjtit i marrin me të vërtetë këto shpërblime nga organizatorët e lojërave të tilla, përcjell Buletini Ekonomik.

Nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë thënë për Buletinin Ekonomik se ATK-ja si institucion rregullues për këtë fushë, pas shfuqizimit të Ligjit 04/L-080 për Lojërat e Fatit, nuk ka kurrëfarë përgjegjësie më për dhënien e miratimit për ato biznese që organizojnë lojëra shpërblyese.

Reklama e sponzorizuar

Deri në shfuqizimin e këtij ligji, ATK-ja ka qenë përgjegjëse për funksionimin sipas rregullativave të këtyre lojërave, si dhe ka pasur nën kompetencë dhënien e miratimit për ushtrimin e kësaj veprimtarie  për subjektet ekonomike.

“Dhënia e miratimit për organizimin e lojërave shpërblyese ka qenë në kompetence të ATK-së, e cila ka qenë e rregulluar me një dispozitë ligjore brenda Ligjit 04/L -080 për Lojërat e Fatit, mirëpo pas shfuqizimit të këtij ligji, ATK më nuk ka përgjegjësi në dhënien e miratimit për ato biznese që organizojnë lojëra shpërblyese, pasi që Ligji 06/L-155 i Lojërave të Fatit ka shfuqizuar ligjin e me hershem (Ligjit 04/L -080 për Lojërat e Fatit ) nuk i ka dhëne asnjë përgjegjësi ATK-së në pjesën për të cilën keni ngritur shqetësimin tuaj”, thuhet në përgjigjet e zëdhënëses së ATK-së, Valentina Bytyqi-Sefa.

Kjo fushë në bazë të përgjigjeve të ATK-së po del të jetë një fushë e parregulluar me asnjë dispozitë ligjore nga institucionet kompetente dhe mashtrimet me konsumatorët mund të jenë në nivele të larta, pasi përgjegjësinë për mbikëqyrjen e tyre nuk e ka marrë askush. /Buletini Ekonomik/