Marrëveshjet që pritet të nënshkruhen nga qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë në mbledhjen e përbashkët

Të premten e 26 nëntorit në Elbasan do të mbahet mbledhja e përbashkët, e shtata me radhë e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë.

Disa marrëveshje pritet të nënshkruhen në këtë mbledhje.

Reklama e sponzorizuar

Por, ato që tashmë janë bërë të ditura, janë marrëveshja për sigurime shoqërore, ku është kërkuar autorizimi për nënshkrim nga Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, marrëveshja për lejet e qëndrimit në afat 5-vjeçar, përmes një aplikimi të thjeshtë dhe ajo për lehtësimin e procedurës së njohjes së diplomave.

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci në një prononcim për Telegrafin ka bërë të ditur se marrëveshja në fushën e arsimit do të jetë për lehtësim të procedurës së njohjes së diplomave.

“Marrëveshja që do te nënshkruhet në fushën e arsimit është: Marrëveshje dypalëshe për lehtësimin e procedurës së njohjes se diplomave nga IAL-te (të konfirmimit të të diplomuarve nga Qendrat Kombëtare respektive të Njohjes së Diplomave). Në fushën e njohjes dhe njësimit reciprok të diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore, të lëshuara nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucioneve të tjera të autorizuara”, ishte shprehur Nagavci për Telegrafin.

Do të nënshkruhet edhe një memorandum mirëkuptimi për studimin e fizibilitetit për ndërtimin/rehabilitimin e segmentit hekurudhor Durrës-Prishtinë, raporton Telegrafi.

Po ashtu pritet të ketë edhe marrëveshje në fushën e sigurisë.

Të gjithë qytetarët e Kosovës do të mund të marrin lejen e qëndrimit në afat 5-vjeçar së bashku me lejen e punës në Shqipëri, vetëm me një aplikim të thjeshtë.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Blendi Çuçi duhet shtuar se kjo do të nënshkruhet të premten në takimin e përbashkët të mes dy vendeve.

“Sot, miratuam një nga marrëveshjet që do të nënshkruajmë të premten mes Shqipërisë dhe Kosovës që ka të bëjë me lejet e qëndrimit të shtetasve respektiv. Është lajm i mirë për shtetasit e Kosovës që do të marrin thjesht me një aplikim lejen e qëndrimit për 5 vite në Shqipëri dhe brenda saj edhe leja e punës”, ishte shprehur Çuçi.

Po ashtu, gjatë fjalës së tij, ai ka lënë të kuptohet se do të ketë edhe të tjera marrëveshje brenda sektorëve që përfshinë Ministria e Brendshme.

“Është lajm i mirë edhe për shqiptarët që jetojnë në Kosovë që do të marrin leje qëndrimi me procedura të thjeshtuara. Është në vazhdën e disa marrëveshjeve që do të nënshkruajmë brenda sektorëve që përfshin Ministria e Brendshme”, ka shtuar ai.

 

“Bëhet fjalë për të kërkuar rekomandimin për autorizim për nënshkrim nga Presidentja e Kosovës lidhur me marrëveshjen për sigurime shoqërore në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Qeveria e Kosovës e përfaqësuar fillimisht nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka përfunduar me sukses negocimin e marrëveshjes për sigurime shoqërore në mes të dy qeverive. Objektivi kryesor i kësaj marrëveshje është sigurimi i mbrojtjes shoqërore për qytetarët që jetojnë në të dy shtetet duke u mundësuar atyre të realizojnë të drejtat e tyre, siç janë pensionet e moshës, pensionet familjare, pensionet invalidore të punës si dhe e drejta në pension nga fondi i kursimeve pensionale individuale, apo shtylla e dytë”, tha gjatë mbledhjes Murati.

Tutje, Murati shtoi se me këtë marrëveshje qytetarëve që kanë punuar një kohë të gjatë në Republikën e Shqipërisë do tu mundësohet që pas arritjes së moshës së pensionimit të kenë të drejt që këtë pension ta marrin në Kosovë.