Numri i familjeve me gjendje të rëndë ekonomike, që marrin asistencë sociale nga buxheti i Kosovës, aktualisht është 25 mijë e 514.
Në krahasim me 4 muajt e parë të këtij viti, ku numri i familjeve nën asistencë sociale kishte shkuar në mbi 26 mijë, në fund të tremujorit të tretë 2021, kjo shifër ka rënë për gati 700 familje më poshtë.
Sipas të dhënave të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në raportin “Statistikat e mirëqenies sociale TM3 2021”, konstatohet se janë gjithsej 101 mijë e 621 anëtarë që vazhdojnë ende të varen vetëm nga financat e shtetit përmes ndihmave sociale mujore.
Komuna e cila për vite me radhë vazhdon të mbetet e para për nga numri më i madh i familjeve që janë të varura nga ndihmat sociale në vend, është komuna e Mitrovicës, e cila në tremujorin e tretë 2021 ka pasur të regjistruara 2 mijë e 316 familje si raste sociale, me 9 mijë e 460 anëtarë, që përbëjnë 9,3 % të numrit të përgjithshëm të anëtarëve përfitues nga kjo ndihmë në Kosovë. Pra, numri më i madh i familjeve në këtë skemë ishte në komunën e Mitrovicës me 9.1 % të numrit të përgjithshëm.
Pas Mitrovicës, rajoni i Prishtinës ka më së shumti familje nën asistencë sociale. Kjo komunë gjatë këtij tremujori ka pasur gjithsej 1 mijë e 494 familje në skemën e ndihmave sociale me 5 mijë e 739 anëtarë.
Më pas vjen rajoni i Vushtrrisë me 1 mijë e 426 familje nën këtë skemë, me 6 mijë e 299 anëtarë familjesh. Lipjani ka 1 mijë e 301 familje që janë të varur nga skemat sociale dhe gjithsej 5 mijë e 714 anëtarë, kurse Ferizaji ka 1 mijë familje me 4 mijë e 91 anëtarë me asistencë.
Pastaj vjen rajoni i Gllogovcit, Pejës, Gjakovës, Fushë Kosovës, Klinës e kështu me radhë. Ndërkohë, numrin më të vogël të familjeve me asistencë sociale e kanë komunat e vogla që njëkohësisht kanë edhe numër më të vogël të popullsisë, si: Mamusha, Juniku dhe Parteshi me 17, 53, përkatësisht 64 familje.
Ndryshe, Skema e Ndihmës Sociale është mbështetje dhe ofrim i ndihmës së përkohshme financiare për familjet që jetojnë në varfëri. Pagesa mujore e përfituesve të kësaj Skeme bëhet sipas numrit të anëtarëve të familjes, ku shuma minimale është gjashtëdhjetë (60) euro për familjet me një anëtar ndërsa shuma maksimale është njëqind e tetëdhjetë (180) euro, të cilën mund ta përfitojnë familjet me pesëmbëdhjetë (15) anëtarë. Gjithashtu ekziston edhe një shtesë e vogël prej pesë eurove për çdo fëmijë të moshës 0-18 vjeç.(Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/