Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës tashmë ka muaj që ka formuar grupin punues për shqyrtimin e projekteve kapitale në fushën e ujërave, të financuara nga buxheti i mëhershëm e kësaj ministrie. Nga ministria thonë se sa i përket ligjshmërisë lidhur me implementimin e disa projekteve, ata kanë hasur në shumë mangësi procedurale si dhe shkelje të shumta ligjore.
Pas fillimit të punës së këtij grupi punues nga qershori i këtij viti, njëra ndër gjetjet kryesore me shumë shkelje në implementim ka qenë projekti i “Zgjerimit dhe pastrimit të lumit Shtimjanja, në seksionet Caralevë-Shtime dhe Mollpolc-Petrovë-Shtime-Vojnoc”. Vlera e hartimit të këtij projekti kishte një kosto prej 299 mijë e 420 euro euro dhe parashihej të përfundonte në dhjetor të vitit 2018, përcjell Buletini Ekonomik.
Projekti në fjalë ishte realizuar nga kompania ALB ARCHITECT në bazë të kontratës kornizë me ministrinë dhe titulli përshkruhej si projekt për pastrimin e lumit ndërsa në dokumentacionet e situacioneve të lumit, që i ka parë grupi punues, figuronte si: “Projekti kryesor për zgjerimin dhe pastrimin e lumit”. Përpos kësaj, projekti ishte implementuar i pavulosur.
Ministria thekson se sipas grupit punues për vlerësimin e këtyre projekteve, nëpër shkresat e lëndës nuk ka pasur leje ndërtimi, as pëlqim ujor dhe as pëlqim mjedisor. Në bazë të projektit, punët përgatitore të terrenit kanë pasur kosto më të madhe sesa punët kryesore, pasi vlera e përgjithshme e punëve përgatitore ishte vlerësuar të jetë 360 mijë e 781 euro, ndërsa punët kryesore vetëm 97 mijë e 637 euro.
Fillimisht, shkelja e parë ishte se punët e gërmimit me projekt ishin përllogaritur me njësi lineare, pra me metër gjatësi, dhe jo me njësi vëllimore, pra me metër kub, siç do të duhej të bëhej.
Projekti në vazhdën e mangësive, nuk kishte as profil gjatësor apo profile tërthore dhe as analizë hidrologjike të sasisë së ujit dhe aluvioneve. Gjithashtu, ai ishte implementuar pa raport teknik dhe as përshkrim teknik.
Ndonëse titulli i projektit ishte “Pastrim” i lumit, ndërsa brendia “Pastrim dhe zgjerim”, zgjerim të lumit nuk kishte pasur, përjashtuar këtu disa seksione vende-vende.
“Projekti kryesor, nuk e përmban ne veti projektin ideor, projekti ideor nuk na u ka prezantuar ne shkresat e lëndës dhe nuk ka projekt ideor, ndërsa fatura për pagesë e përmban edhe pjesën ideore të projektit”, citohet të kenë thënë grupi punues për MMPHI-në.
Sipas tyre, projektin hartues, zgjerimi dhe pastrimi i lumit Caralevë –Shtime dhe Mollopolc-Petrovë-Shtime Vojnovc, në pesë kopje të forta dhe një kopje në formë elektronike-CD, e kishte pranuar koordinatori i projekteve në MMPHI, i cili kishte vlerësuar se projekti është dorëzuar konform kontratës dhe se i plotëson të gjitha kërkesat teknike. Nga vlerësimet e këtij grupi punues, ka dalë në pah se i njëjti kordinator i kishte pranuar edhe faturat për pagesën e këtij projekti hartues, i kishte aprovuar faturat dhe procesuar për pagesë tutje.
Pra, janë procesuar pagesat prej gjithsej 299 mijë e 420 euro për një projekt që ligjërisht nuk i ka plotësuar kushtet, as për leje ndërtimi dhe punimi, as pëlqim ujor e mjedisor, e gjithashtu as punët nuk janë bërë sipas kontratës.
Grupi punues i ministrisë ka kontsatuar disa prej gjetjeve shqetësuese në terren për moskryerjen e punëve sipas kontratës, si në vazhdim:
• Në fazën e parë të projektit (pastrimi i lumit në gjatësi 28.9km ishte kryer në vitin 2016. Shtrati i pastruar i lumit dhe në disa seksione i zgjeruar ishte në gjendje relativisht të mirë (hiç mbeturinat e ngurta të hedhura). Sipas fjalëve të zyrtarëve të komunës thënë për grupin punues, pas pastrimit të lumit me këtë projekt, nuk ka pasur më përmbytje të tokave buzë shtratit të lumit që ka qenë dukuri pothuajse e rregullt para pastrimit të lumit. Mirëpo, incizimi gjeodezik pas kryerjes së punimeve nuk ishte realizuar edhe pse kishte qenë paraparë me kontratë. Pagesa për zbatimin e punimeve është kryer në tërësi: nga MMPH 180 mijë e 489 euro dhe nga komuna 100 mijë euro.
• Në fazën e dytë të projektit, ku parashihej ndërtimi i 5 urave dhe rregullimi i shtratit të lumit në Shtime, nuk ishte kompletuar plotësisht në mungesë të mjeteve financiare. Në vend të 5 urave secila në gjatësi 10 metra, ishin ndërtuar 6 ura, njëra prej tyre në gjatësi 10 metra dhe 5 të tjera në gjatësi nga vetëm 7 metra secila. Po ashtu, shtrati i lumit brenda zonës urbane të Shtimes ishte rregulluar pjesërisht – vetëm muret e brigjeve të shtratit minor në gjatësi 600 metra. Muret ishin betonuar por nuk ishin muratuar me gurë siç ka qenë e përshkruar në kontratë. Afati i paraparë në kontratë për përfundimin e të gjitha punimeve ka qenë dhjetori i vitit 2018. Vlera e pagesave të kryera nga MMPH ishte gjithsej 250,998.75 euro.
• Ndërsa, projekti i fazës së dytë (urat dhe rregullimit të shtratit të lumit) nuk ka qenë në dispozicion në ditën e daljes në terren. Rrjedhimisht nuk ka mundur të bëhet vlerësimi i sasisë dhe cilësisë së punimeve kundrejt projektit, kishin vlerësuar grupi punues.
Ndërkohë, në një sqarim të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) pas gjetjeve të grupit punues lidhur me këtë projekt, thuhet se pastrimi i lumit nuk hyn në kategorinë e punëve për të cilat kërkohet hartimi i projektit kryesor, pasi sipas tyre, ky aktivitet hyn në kategorinë e mirëmbajtjes së lumit.
Sipas ministrisë, projekti i dorëzuar nga “Alb Architect” si projekt për të cilin janë paguar nga MMPHI rreth 300 mijë euro, nuk e përmbushë asnjë standard të të qenit projekt kryesor, pasi i njëjti nuk ka detyrë projektuese, nuk ka përshkrim teknik, nuk ka llogaritje hidraulike, ka një paramasë dhe një parallogari të përmbledhur në një faqe A4 me 4 pozicione, 3 prej të cilave përsëriten 3 herë (për tri seksione të ndryshme të lumit), nuk përmban asnjë detaj teknik për pozicione të caktuara të punimeve, si dhe përmban 10 harta ortofoto të përpjesës së vogël, të cilat janë krejtësisht të pavlefshme për kryerjen e punimeve.
Ata thonë se dokumenti i dorëzuar nga kjo kompani në emër të projektit kryesor për pastrimin e lumit, sipas asnjë standardi nuk mund të ketë kosto prej 300 mijë eurosh.
Përveç këtyre, në dokumentin e dorëzuar për projektin kryesor, nga ministria thonë se në faturë ka qenë edhe një pozicion për projektimin e një seksioni të kanalizimit në vlerë të 5 mijë eurove, projektim ky që nuk është përfshirë në dokumentin e dorëzuar, që d.m.th., nuk është kryer nga kompania projektuese.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, tash e udhëhequr nga ministri Liburn Aliu, thonë se “është e pashpjegueshme se si është pranuar nga MMPHI (Kordinatori i projekteve) ky dokument si “Projekt kryesor i cili i plotëson kërkesat teknike” dhe është rekomanduar pagesa prej 300 mijë eurove për një produkt të tillë. (Mirjeta Shabani) /Buletini Ekonomik/