MINT: Kemi hasur në vajra motorike të kontrabanduara në tregun e brendshëm- Merret vendim për kontrollim të brendshëm të vajrave motorike

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka njoftuar se ka marrë vendim për kontrollimin e tregut të brendshëm të produkteve të vajrave motorike, pasi Inspektorati i Tregtut i drejtuar nga kjo ministri ka hasur në keqpërdorime të shumta.

Sipas një njoftimi për media të bërë nga MINT, thuhet se Inspektorati i Tregut ka hasur në vajra motorike pa prejardhje, që d.m.th vajrat motorike kanë hyrë në tregun e brendshëm nëpër rrugë jo ligjore, si pasojë e kontrabandimit të mallrave. Gjithashtu, në bazë të rezultateve të testimit dhe verifikimit të mostrave të marra nga Inspektorati, është bërë e ditur se ka pasur edhe mospërputhje të përbërjes dhe sasisë të deklaruar në etiketën e produktit.

Si pasojë e kësaj mospërputhje të përbërjes dhë sasisë së deklaruar, është mashtruar konsumtori, si dhe është cënuar konkurrenca në treg, e mbi të gjitha është dëmtuar në masë të madhe buxjeti i shtetit, konstatojnë nga ministria.

Reklama e sponzorizuar

Inspektorati i Tregut deri më tani, ka sekuestruar mijëra litra vajra motorike, të cilat janë hasur në tregun kosovar në kundërshtim me ligjet në fuqi, ndërsa nga ministria thonë se në bashkëpunim me Doganën e Kosovës janë duke marrë mostra të vajrave motorike në të gjitha pikat doganore për të verifikuar përbërjen e deklaruar. Si rrjedhojë, këto mostra të marra të këtyre vajrave janë duke u dërguar në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës për verifikim të sasisë së deklaruar.

Nga ministria theksohet se ky proces që nga marrja e mostrave, testimi dhe verifikimi në laborator është pa asnjë kosto financiare për bizneseset.

Ndryshe, deri më tani, në Kosovë nuk ka qenë e rregulluar me ligj kjo fushë, pasi me legjislacionin e deritanishëm në fuqi, produktet e vajrave motorike kanë hyrë në grupin e produkteve që paguajnë akcizë, përcjell Buletini Ekonomik.

Kujtojmë se ministrja Rozeta Hajdari pas marrjes së detyrës pati shfuqizuar nenet e Udhëzimit Administrativ nr.09/2020 për Kontrollin dhe Cilësinë e Karburanteve të Lëngta të Naftës, i cili kishte përcaktuar procedurë me kosto tepër të lartë për bizneset për testimet.

“MINT, respektivisht Inspektorati i Tregut do të vazhdojë me kontrollimin, testimin dhe  verifikimin e produkteve vajra motorike, në bashkëpunim të ngushtë me operatorët ekonomikë dhe organet e tjera përgjegjëse për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjeve dhe akteve nënligjore në fuqi. MINT i garanton konsumatorët dhe bizneset e përgjegjshme se nuk do të lejohen të qarkullojnë në tregun e brendshëm të Republikës së Kosovës produktet që nuk i plotësojnë kërkesat ligjore”, përfundon komunikata e kësaj ministrie. /Buletini Ekonomik/

No photo description available.